Atentati drejt mjetit tip ‘BMW’ në aksin Elbasan-Peqin, arrestohet i shumëkërkuari Nuredin Dumani

I shumëkërkuari Nuredin Dumani është arrestuar mbrëmjen e sotme në Fier, pasi dyshohet si autor i atentatit që ndodhi në zonën e Cërrikut në Elbasan, pasditen e sotme (29 mars).

Gazetari Edison Vatnikaj bën me dije se provat që u gjetën në Cërrik të Elbasanit, ku u qëllua mbi 20 herë ndaj një makine tip BMW, kanë çuar në gjurmët e Dumanit, i cili ishte shpallur në kërkim që prej dy vitesh.

Objektivi i atentatit sipas burimeve të Ora News ka qenë Talo Çela, një emër i njohur për policinë. 

Të shtënat me armë u raportuan rreth orës 17:35 në aksin rrugor Elbasan-Peqin, tek kryqëzimi i "Urës së Zezë". Ndërsa BMW brenda së cilës ndodhej Çela, u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes e braktisur.

Ora News mëson se mes Çelës dhe Dumanit ka pasur shkëmbim me armë zjarri e për pasojë ku i fundit ka mbetur i plagosur.

Nuredin Dumani ka mbetur i plagosur në shpatull.

Gjurmët që u gjetën në Elbasan dhe dyshimet për targat BMW e cila rezulton se ka qenë e vjedhur,  bën që RENEA dhe policia të zbarkonin në Fier ku dhe kanë arrestuar Dumanin, në një lagje të qytetit. 

Konflikti mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës

Prishja e miqësisë së Dumanit dhe Talo Çelës, dyshohet se ka qenë shkaku që ky i fundit ka urdhëruar ekzekutimin e Klevis Kapllanit, shokut të ngushtë të Nuredin Dumanit, ngjarje që ndodhi më 15 Shtator të vitit 2020. Për hakmarrje Dumani dyshohet se organizoi dhe bëri vrasjen e vëllait të Talos, Bujar Çelës, vetëm 2 ditë më pas në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, mëngjesin e 17 Shtatorit po të vitti 2020.

Të paktën 20 plumba janë shtënë ndaj 50 vjeçarit, nga të cilët 4 prej tyre i ka marrë në trup duke e lënë të vdekur në vend. Ekzekutimi është kryer rreth orës 05:45 gjatë kohës që viktima po konsumohet kafen në lokalin që e frekuentonte çdo ditë, ku dhe qëndronte me automjetin me të cilin punonte si taksist pa licencë.

Autorët, të cilët sipas hetuesve dyshohet të kenë qenë 3 persona, kanë ndjekur itinerarin nga rrethrrotullimi i Bradasheshit për tek lokali ku dy prej tyre kanë zbritur sapo kanë parë shënjestrën.

Ngjarja u fiksua nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë zbuluar edhe Nuredin Dumanin si pjesëmarrës në vrasje.

Nuredin Dumani dhe Talo Çela janë së bashku të shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Durrësit, si të përfshirë në vrasjen e drejtpërdrejt në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 Prill 2020, si dhe dy personave të tjerë në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 Mars 2020, në të njëjtin vend, tek tregu i makinave.