Asllani i lumtur për kombëtaren. Cikalleshi: Duhej të pasoja në rastin për gol

Kuqezinjtë protagonist në ndeshjen në “Air Albania” folën pas ndeshjes duke bërë analizën e tyre për barazimin me Gjeorgjinë.

Një prej tyre ishte edhe Kristjan Asllani, talenti më i ri kuqezi që sot shkëlqeu si titullar dhe gjithsesi u tregua tepër modest në rrëfimin e tij.

Është emocion shumë i madh, luajta gjithë ndeshjen. Luajtëm të gjithë mirë, patëm raste dhe na mungoi vetëm goli, që do të vijë, jam i sigurt. Hyra në fushë për të ndihmuar djemtë, shpresoj se kam bërë mirë. Pozicioni im më i mirë? E ndiej veten më mirë si numër 6 para mbrojtjes, tek Empoli kam luajtur në këtë pozicion të tillë, por unë luaj ku thotë trajneri. Shqipëria ka ekip shumë të fortë. Do të bëjmë gjëra të bukura në të ardhmen. Milani? Nuk më interesojnë zërat, jam i përqendruar tek Empoli dhe të sigurojmë mbijetesën”, deklaroi talenti i Shqipërisë dhe i Empolit. 

Sokol Cikalleshi nga ana tjetër tha se në ndeshje ndaj rivalëve të tillë si Gjeorgjia duhet më shumë në sulm teksa pranoi dhe një gabim që bëri në fushë.

Sot ishte një ndeshje që mendoj se duhej fituar, por pamë një Gjeorgji që ishte rreshtuar mirë mbrapa, edhe teknikisht ishin mirë. Kjo ndikoi që të mos i vendosnim gjatë gjithë kohës në presion. Kishim mundësi për të fituar ndeshjen, kishim raste unë, Vrioni dhe Çekiçi. Një gol duhet ta kishim bërë. Kemi edhe pak rrugë përpara për të mbërritur aty ku duam. ur luan ndaj Spanjës gjëja primare është mbrojtja, ndërsa me ekip që janë deri diku në nivelin tonë, ne duhet të tentojmë diçka më shumë, por duhet edhe garanci pas. E treguam sot, ishim solidë në mbrojtje. Të mundohemi të përmirësojmë atë që kemi deri në qershor. A mund të shërbeja te rasti që humba? E pashë më pas videon, mund të pasoja, por kisha shumë besim se do të shënoja dhe e dërgova topin aty ku doja. Duhet të jem edhe i sinqertë, në atë moment isha shumë I fokusuar për të shënuar, por gabova që nuk pasova”, tha sulmuesi kuqezi në fjalën e tij./Ora News/.