Shqipëria me mungesa ndaj Gjeorgjisë, 3 lojtarë largohen nga grumbullimi
Shqipëria do të mbyllë të Martën aventurën me dy miqësoret teksa në ndeshjen e dytë që do të luhet me Gjeorgjinë në “Air Albania” do të ketë mungesa.
Siç bën me dije FSHF, ekipi kuqezi ka zhvilluar këtë të hënë një stërvitje të fundit përpara miqësores në “Air Albania” por grupi nuk ishte i plotë pasi 3 lojtarë janë larguar nga grumbullimi.
I pari është Keidi Bare i cili ka pasur një tërheqje muskulore pas ndeshjes me Spanjën. Ai ka qenë në monitorim të vazhdueshëm dhe pas konsultimit me stafin mjekësor, u vendos që të mos jetë me skuadrën ndaj Gjeorgjisë.
Gjithashtu, në këtë seancë stërvitore të sotme nuk mori pjesë as mbrojtësi Ivan Balliu, i cili do të mungojë në miqësoren ndaj Gjeorgjisë. Me lojtarin ishte rënë paraprakisht dakord që do të luante vetëm miqësoren ndaj Spanjës e më pas do të kthehej te klubi i tij, pasi pret të bëjë dozën e tretë të vaksinës anti-Covid për t’u pajisur me pasaportën e vaksinimit (Green Pass).
Edhe Myrto Uzuni pas kërkesës së Granadas për ta pasur lojtarin në dispozicion për shkak se ka një ndeshje shumë të rëndësishme në kampionat këtë javë dhe pas konsultimit me stafin teknik u vendos që qëndrojë në Spanjë.
Pjesa tjetër e ekipit nuk ka probleme dhe janë në gjendje të mirë fizike dhe sot do të rikthehen pasdite në Tiranë./Ora News/.
