Rashica “fluturon” në Zyrih, Kosova barazon 1-1 me Zvicrën (Video)

Mes 20 mijë tifozëve në Zyrih, shumica shqiptarë nga të gjitha trevat, u luajt miqësorja Zvicër-Kosovë dhe ku dardanët arritën të merrnin një barazim 1-1 me shumë vlera për ta sidomos për trajnerin e ri Giresse.

Me Granit Xhakën kapiten dhe që pikërisht ndaj dardanëve luante ndeshjen e 100-të me fanellën helvete dhe me Shaqirin gjithashtu titullar, ndeshja në përgjithësi foli më shumë për vendasit.

Zvicra luajti padyshim me shumë lojtarë të rinj në formacion teksa pjesa e parë ishte e ekuilibruar edhe pse me disa raste për helvetët që gjithsesi nuk e gjetën dot portën.

Pjesa e dytë ishte më e hapur dhe Kosova pati më shumë iniciativën dhe në 52’, Milot Rashica gjen rrjetën në një aksion të nisur prej tij dhe të përfunduar prej tij.

Janë minuta të mira për dardanët teksa vendasit përgjigjen shpejt në 61’ me Lotomba i cili përfiton edhe nga dalja e Muriç për të shënuar.

Menjëherë pas golit, Yakin bën disa zëvendësime duke hequr edhe kapitenin Xhaka në minutën e 63’ me këtë të fundit natyrisht të pakënaqur me këtë vendim. Në fund të dyja skuadrat duken të kënaqura me këtë rezultat 1-1 që më shumë i shërben Giresse dhe dardanëve./Ora News/.