Shkatërroi makinën, fatura e “kripur” për Schumacher, gati 1 mln dollare

Momenti i parë që mendon kur shikon atë aksident që ndodhi në Arabinë Saudite për Mick Schumacher është shëndeti. Mjekët siguruan se gjithçka është “Ok” me djalin e legjendës së Formula 1, dhe tashmë vëmendja shkon te kostot.

Me rregullat e vjetra në Botërorin e Formula 1, kostot e riparimeve nuk ishin aspak problem por këtë sezon ka një tavan për shpenzimet e skuadrave dhe kjo fut në siklet të madh të gjithë ekipet e mëdha jo më një skuadër si Haas.

Shefi i kësaj skuadre, Gunther Stenier bëri një panorama të dëmeve që pësoi makina që në fakt duket e ndarë në copa si një lodër për fëmijë.

“Telajo nuk duket se është thyer. Struktura anësor është thyer e tëra, por kjo mund të ndryshohet. Natyrisht ne duhet të bëjmë një kontroll më të plotë të shasisë, por për të qenë i sinqertë nuk duket të jetë në gjendje shumë të keqe. Sipas asaj që më ka thënë Ferrari, edhe motori duket në rregull së bashku me baterinë. Nga ana tjetër, gjithçka tjetër është e dëmtuar”.

Sipas një llogaritje të bërë, është 1 milionë dollarë dëmi i shkaktuar në këtë aksident dhe një shumë e tillë nuk është pak, gjithmonë për shkak të kufizimeve në buxhet që ka vendosur FIA./Ora News/.