Vijon prej dy ditësh zjarri në masivin pyjor të Klosit, flakët nuk kursejnë as varrezat
Masivi pyjor me dushqe në fshatin "Kujtim" të Bashkisë Klos vijon të jetë nën pushtetin e flakëve nga dita e djeshme, 21 mars.
Një vatër zjarri u shfaq të hënën duke u përhapur me shpejtësi të madhe për shkak të erës së fortë.
Thatësira e madhe ndihmoi zjarrin të digjte edhe pemë frutore të banorëve që kanë jetuar dikur në këtë zonë. Madje flakët nuk kursyen as varrezat e fshatit.
Shërbimi zjarrfikës dhe ai pyjor pranë Bashkisë Klos kanë ndërhyrë mbrëmjen e djeshme, duke vënë nën kontroll anën jugore të masivit pyjor.
Ndërkohë zjarri është përhapur në anën veriore duke ju afruar fshatit Kurdari dhe lagjes Grege.
Për shkak të terrenit të vështirë ndërhyrja po bëhet me pompa shpine dhe mjete rrethanore.
Policia ka nisur hetimet për gjetjen e shkaqeve të vërteta të këtij zjarri me pasojë të mëdha ekonomike.
