Në makinë me 10 thasë kanabis drejt Mirditës, arrestohen dy shokët
Dy të rinj janë arrestuar pasi po transportonin me makinë 10 thasë me kanabis, pasha totale 36 kg.
Policia kishte informacione në rrugë operative për lëvizjen e makinës në drejtim të Mirditës dhe në afërsi të fshatit Jezull, Mirditë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Zmeja”.
“U bë lokalizimi dhe ndalimi i automjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Opel”, me drejtues shtetasin R. L. dhe pasagjer shtetasin K. Z., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 thasë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 36 kilogramë” informoi sot policia e Lezhës.
Të arrestuarit janë R. L. 28 vjeç, banues në Zall Dardhë, Dibër dhe K. Z., 28 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë.
Në vijim të operacionit është ushtruar kontroll në banesën e Roland Lalës në fshatin Zall Dardhë, Dibër, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, një pistoletë shenjëdhënëse dhe municion luftarak.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje".
