Policia e ndal për kontroll, i gjen pistoletë në makinë, arrestohet 46-vjeçari në Tiranë
Policia e Tiranës ka sekuestruar një armë zjarri kallashnikov, një armë zjarri pistoletë, një pushkë sportive, municion luftarak dhe një automjet dhe ka vënë në pranga 46-vjeçarin që i posedonte.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se në rrugën "Altin Basha",kanë ndaluar automjetin e dyshuar dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: P. D., 46 vjeç, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Gjatë kontrollit në mjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë.
Në vijim të kontrollit, në banesën e këtij shtetasi, në rrugën "Thoma Koxhaj", u gjetën një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
