Gripi i shpendëve, 60 pula ngordhën në Divjakë, pronarja: I hodhëm në kanal
Pas Durrësit, ku mijëra pula kanë ngordhur nga gripi i shpendëve, duket se vatra të reja duke duke u përhapur në vend. Në Prespë 3 pelikanë janë gjetur të ngordhur, ndërsa në Divjakë 60 pula janë groposur.
Gripi i shpendëve që ka shkaktuar ngordhjen e disa qindra mijë pulave në Durrës po përhapet edhe në zona të tjera.
Këtë të martë (22 mars), sëmundja është konfirmuar në qarkun e Korçës, ku të prekur rezultojnë pelikanë në Liqenin e Prespës.
Të paktën tre pelikanë janë gjetur të ngrodhur në pjesën shqiptare të liqenit, ndërkohë që në anën greke kanë ngordhur mbi 500 të tillë.
Ndërkohë një tjetër vatër dyshohet të ketë nisur në fshatrat e Divjakës.
Të paktën 60 pula kanë ngordhur në fshatin Gurë, ndërsa ato janë groposur në një tokë bujqësore nga vetë fermeri që i kishte në zotërim.
"Ngordhën për dy ditë, nuk kemi më asnjë pulë. Nuk e dimë pse. I hodha në një kanal, i groposëm."
Pavarësisht se nuk ka ende një përgjigje zyrtare të analizave, dyshimet e forta janë që ka qenë pikërisht gripi i shpendëve që ka çuar në ngordhjen e këtyre pulave.
"Askush nuk e di çfarë është."
Ndërkohë që duhet se vatra tjera po shfaqen në vendin tonë, në Durrës ka vijuar groposja masive e pulave, ndërsa kompanitë private kanë hedhur akuza ndaj Ministrisë së Bujqësisë për mosmarrjen e masave në kohën e duhur.

