Qeveria: Do të ndërpritet ndriçimi në akset kombëtare, pas orës 12 edhe bashkitë të fikin dritat

Duket se qeveria do të ndërpresë ndriçimin në disa akse rrugore të vendit në mënyrë që të kursehet energjia elektrike.

Një gjë të tillë e ka bërë me dije Ministrja e Energjitikës Belinda Balluku e cila tha se i është kërkuar ARRSH-së që të nisë nga puna për të bërë ndërprerjet e ndriçimit në akset kombëtare.

Balluku: I kemi kërkuar ARRSH që të nisë menjëherë nga puna për të bërë ndërprerjet e ndriçimit në akset kombëtare. Do të përmend disa prej tyre: aksi Tiranë-Durrës, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Qafa e Kasharit-Rinas, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë. Do të ketë ndërprerje edhe në akset kombëtare në degëzim, siç janë Bypass i Fierit me hyrje dalje, Lezhë-Shëngjin dhe Shkodër-Hnai i Hotit. Nuk do të prekim disa pjesë të akseve që cenojnë sigurinë rrugore. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë.

Një masë e marrë është kërkesa që kemi bërë për të kufizuar energjinë që shpenzohet për ndriçimin, për ato që nuk janë të nevojshme. Gjithashtu edhe institucionet do të kufizojnë energjinë për ndriçime të panevojshme dhe jo të domosdoshme, duke nisur nga ora 00:00. Duke nisur nga ora 12 e natës do i kërkohet Bashkive që të ndërpresin ndriçimin, për ato që nuk janë të domosdoshme.