Zbulohet 'shtëpia e barit' në Krujë, arrestohen babë e bir. Sekuestrohen 316 vazo me kanabis dhe mijëra euro

Babë e bir u arrestuan në Derven të Krujës, pasi kishin kthyer kultivimin e bimëve narkotike në biznes familjar. Ata kishin përshtatur një stallë në laborator të rritjes së kanabisit me llamba.

Një laborator i rritjes së bimëve narkotike përmes ngrohjes në llamba u zbulua në Derven të Krujës.

Ambienti ishte përshtatur në një stallë

Aty ishin vendosur llamba për ngrohje, aspiratorë për pastrimin e ajrit dhe pajisje të tjera elektrike që përdoren për këtë veprimtari.

Policia thotë se kishte marrë informacion ndaj organizoi kontroll.

Brenda stallës të kthyer në shtëpi bari, u gjetën 316 vazo në të cilat ishin të kultivuar fidanë të dyshuar kanabis sativa në fazë të ndryshme rritje.

Babë e bir, Llesh dhe Ernest Luka, përkatësisht 57 dhe 24 vjeç përfunduan në pranga.

Operacioni më tej ka vijuar me kontroll në banesën e familjes.

Aty blutë gjetën 37.000 euro dhe mbi 1.800.000 lekë.

Dyshimet janë se paratë janë të përfituar nga veprimtaria kriminale e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike ndaj u sekuestruan.

Llesh dhe Ernest Luka ndërkohë do të përballen me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike e kryer në bashkëpunim dhe vjedhjen e energjisë elektrike.

Operacionet e policisë së Shtetit kanë provuar se të ashtuquajturat Shtëpi bari janë kthyer në mënyrën kryesore të kultivimit të bimëve narkotike në vend, krahas serava dhe parcelave të vogla në zonat e thella.