Kompleksi brenda bazës së Shëngjinit, ndërtuesi ka dokumentacion, prokuroria dyshon për tjetërsim abuziv

Ndërtuesit e një kompleksi brenda bazës ushtarake të Lezhës vijojnë betejën ligjore për ta cuar deri në fund investimin në zonën ushtarake që ka shkaktuar debate të forta dhe hije dyshimi për abuzim. Ndërsa ndërtuesit thonë se kanë dokumentacion të rregullt, prokuroria beson se toka mund të jetë tjetërsuar në shkelje të ligjit, ndaj po heton disa zyrtarë!

Vënia nën sekuestro preventive e objektit që po ndërtohej brenda bazës ushtarake detare të Shëngjinit është kundërshtuar nga shoqëria që po kryen këtë investim.

Kompania e ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë në Lezhë, mbi pasuritë e paluajtshme që sipas VKM Nr.515/2003 janë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe konkretisht të palës kallëzuese Reparti Ushtarak Nr.2001, pjesë e strukturës organizative të Forcave të Armatosura të R.SH si dhe ndërtimet që janë kryer apo që janë në ndërtim e sipër mbi këtë territor.

Në këto kushte i kërkohet Gjykatës së Apelit në Shkodër që të heqë sekuestron preventive të vendosur pasurisë të llojit pyll me sipërfaqe 1000 m2, në proces ndërtimi të kompleksit “godinë 3 kat, pronë e cila është me certifikatë pronësie dhe leje ndërtimi të dhënë nga Bashkia Lezhë.

Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet që janë kryer apo që janë në ndërtim e sipër në territorin e Bazës Ushtarake të Shëngjinit janë vënë në sekuestro preventintive me kërkese të Prokurorisë së Lezhës, e cila prej kohësh kishte nisur procedim penal për veprën penale “Shpërdorim detyre”

Dyshimet e organit të akuzës janë se kjo pronë është tjetërsuar në kundërshtim me ligjin, ndërsa në hetim për këtë çështje janë vënë disa zyrtar dhe ish-zyrtar lokal.