Vdekja e dy minatorëve në Tropojë, arrestohet drejtuesi teknik i minierës së kromit
Vdekja e dy minatorëve në një galeri kromi në Tropojë, ka çuar në pranga drejtuesin teknik të firmës që e shfrytëzonte. Ai akuzohet se nuk mori masat e sigurisë në punë para se minatorët të zbrisnin rreth 1000 metra nën tokë për të nxjerrë mineralin e çmuar.
Mosmarrja e masave të detyrueshme të sigurimit teknik është sipas policisë shkaku i aksidentit ku humbën jetën dy minatorë në një galeri kromi në Tropojë
41-vjeçari Adil Dautaj dhe 43-vjeçari Afrim Zhutaj nga Kepeneku mbetën viktima si pasojë e një shembje rreth 1000 metra nëntokë.
Zhutaj ishte baba i 3 fëmijëve, ndërsa Dauti ka 2 fëmijë.
Disa orë më pas, drejtuesi teknik i subjektit 45-vjeçari Adriatik Rexha u vu në pranga.
Për shkak të detyrës, sipas policisë ai duhet të merrte masat e sigurimit teknik para se minatorët të zbrisnin nën tokë.
Por nga të dhënat e para, kjo nuk ka ndodhur ndaj 45 vjeçari akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në Punë.
Tragjedia e radhës nën tokë u shënua në një minierë kromi në fshatin Lajthizë të Tropojës, zonë e thellë malore ku ka disa galeri të vogla.
Në rrethana që ende po hetohen shembja ndodhi në rreth 1000 metra thellësi.
Adil Dautaj dhe Afrim Zhutaj humbën jetën, ndërsa 4 minatorë të tjerë arritën të shpëtojnë!
Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri, pasi në vazhdimësi ka aksidente të rënda.
Në 5 vitet e fundit, përllogaritet se janë më shumë se 35 minatorë që kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë janë plagosur nga aksidentet në galeri.
