Berisha u jep premtimin shqiptarëve në Greqi: Në zgjedhjet e ardhshme do të votoni aty ku jeni

Ish-kryeministri, Sali Berisha ditën e sotme ka zhvilluar “Foltoren” e  tij të parë pas zgjedhjeve të 6 Marsit, me shqiptarët që jetojnë në Greqi.

Në fjalën e tij, Berisha është shprehur se vota e emigrantëve shqiptarë në  Greqi do të jetë përparësi.

Berisha u ka premtuar emigrantëve se në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë nga Greqia për kandidatin që dëshirojnë.

Sali Berisha: Do të bëjmë gjithçka për një bashkëpunim sa më të ngushtë të degëve tona në Athinë dhe kudo që ndodhen, inkurajojmë nxitjen e tyre. Një bashkëpunim sa më të ngushtë me të gjithë emigrantët shqiptarë kudo që janë që ato të kenë rolin e tyre direkt në të gjitha zhvillimet e vendit. Vota e emigrantëve, ushtrimi i të drejtës së tyre, do të jetë përparësi e Partisë Demokratike. Ju garantojmë që kjo do të jetë  përparësi absolute ne zgjedhjet e ardhshme.  Ju do të votoni aty ku jeni për kandidatët që doni. 

Një kuadër i ri ligjor do të hartohet për tërheqjen e investimeve nga emigracioni dhe diaspora jonë. Investimi i tyre përbën një potencial të jashtëzakonshëm për shpejtimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Ju garantoj se në çështjet e bashkëpunimit me emigracionin shqiptar, angazhimi i tij do të jetë një përparësi kryesore e PD në pushtet.