Oficerët e BKH mbeten pa pistoleta, policia ende s’ka bërë furnizimin
Të cilësuar me nofkën si “Dora e Hekurt” e SPAK, 28 oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duket se nuk i janë përmbushur të gjitha kushtet që u jep ligji, me qëllim kryerjen e detyrës së tyre.
Prej më shumë se një viti që kanë marrë detyrën e tyre, duke shërbyer si oficerë të posaçëm pranë prokurorisë së Posaçme SPAK, 28 super hetuesit Shqiptarë ende nuk janë pajisur me pistoleta dhe mjete logjistike të premtuara me ligj.
Një burime pranë SPAK, tha për “Ora Neës” se ende Policia e Shtetit, nuk ka bërë furnizimin me armatim dhe municion persona, të çdo oficeri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kjo vonesë ende nuk është përcaktuar, se nga cili shkak mund të vijë, për mungesë financash apo ngërçi ligjor, por tashmë ajo që dihet është fakti se njerëzit e cilësuar si “Dora e Hekurt” e SPAK, kanë mbetur pa pistoleta. Në nenin 31 të ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore, flitet për përfitimet e tjera të Oficerëve të Policisë.
Sipas pikës 3 të këtij Neni, thuhet se:”…oficerёt e Policisë Gjyqësore të seksioneve, shërbimeve në Policinë e Shtetit, si dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit pajisen me armë zjarri, sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e armëve të zjarrit…”.
Legjislacioni qartazi ja lejon, por prej më shumë se një viti oficerët e BKH-së, nuk janë paisur me armatimin personal dhe sende të tjera logjistike. BKH, u ndërtua si një strukturë solide, e pavarur nga Policia e Shtetit, duke punuar vetëm me prokurorin e posaçëm të SPAK. Kjo strukturë është në hapat e saj të parë, ndërsa pritet që në ditët në vijim numri i oficerëve që do bëhen pjesë e kësaj strukture, do jenë rreth 60 oficerë.
28 hetuesit e parë të BKH, pasi përfunduan trajnimin filluan zyrtarisht detyrën më 9 gusht 2021. Ata zhvilluan në Romë trajnimin intensiv dhe të specializuar nga DIA italiane (Drejtoria e Antimafias) për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
Rrugëtimi i hetuesve të BKH filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë përfshin teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës. BKH është një i institucion i ri i dalë nga reformën në drejtësi dhe është pjesë e SPAK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
