Të mbështjellë me batanije dhe të ulur në trotuar, Ora News me protestuesit: Dy kordone policore ruajnë kryeministrinë
Protesta e dytë kombëtare e cila nisi në orën 11:00 të ditës së sotme, 19 mars parashikohet të zgjasë 24 orë.
Qytetarët u mblodhën në sheshin "Skënderbej" dhe më pas marshuan drejt kryeministrisë kur do të kalojnë natën. Por uniformat blu rreth orës 18:00 ndërhynë dhe i larguan qytetarët nga sheshi para kryeministrisë duke i zhvendosur në trotuar.
Gazetari i Ora News, Isa Myzyraj bën me dije se protestuesit të mbështjellë me batanije janë ulur në trotuar dhe me flamurin shqiptar. Disa prej protestuesve qëndrojnë në këmbë ndërsa thonë se nuk do të largohen nga sheshi gjatë mbrëmjes.
Janë dy kordonë policorë të cilët nuk po lejojnë protestuesit që të dalin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" para kryeministrisë.
Protesta ka qenë paqësore, ndërsa qytetarët shprehen se nuk do të largohen nga sheshi pa pasur një reagim real të qeverisë dhe pa i plotësuar disa kërkesa të tyre që lidhen kryesisht me arsye ekonomike.
Qytetarët kanë çuar ushqime, batanije, ujë dhe mjetet e nevojshme për të kaluar natën. Janë qytetarë të cilët janë solidarizuar me protestuesit, pra pasi çojnë ndihmat largohen.
Sipas qytetarëve masat e qeverisë nuk janë të mjaftueshme për të përballuar krizën.
Policët do të qëndrojnë para ambienteve të kryeministrisë deri sa protestuesit të largohen.

