A janë origjinale dhe ku janë marrë, Prokuroria dhe Ministria e Kulturës verifikojnë 4 mijë veprat e artit
Ministria e Kulturës dhe prokuroria kanë nisur verifikimin e të 4 mijë veprave të artit dhe të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë të gjendura në apartamentin në rrugën "Ali Demi" në Tiranë.
Përmes këtij procesi do të verifikohet nëse ato janë origjinale si dhe do të zbulohet se prej ku janë marrë.
Këtë të premte 61-vjeçari, Artan Koçiu, është paraqitur në Gjykatën e Tiranës, ku Prokuroria ka kërkuar masën e "arrestit me burg" duke ngritur akuzën e trafikimit.
Për këtë janë paraqitur prova nga materialet e gjetura në banesën e tij.
Nga ana tjetër Koçiu ka kërkuar rrëzimin e pretendimeve duke theksuar se ai nuk është hajdut, por e kundërta është një restaurues me licencë.
Madje ai shprehet se kujdeset për mobiljet e përdorura duke iu kthyer vlerën që kanë.
Po ashtu para trupës, 61-vjeçari është shprehur se është koleksionist dhe veprat e zbuluara i ka blerë në treg të zi, ndaj dhe ka pretenduar se kërkesa e prokurorisë për të nuk qëndron
Në përfundim të dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të japë "arrest në shtëpi" për Koçiun deri në përfundim të hetimit.
Në aksionin për zbulimin e 4 mijë veprave të artit dhe të kultit policia infiltroi dy efektivë, të cilët kërkuan të blinin dy objekte.
Pas identifikimit të ambientit prokuroria ndërhyri duke sekuestruar veprat dhe më tej duke ndaluar Koçiun.
Në apartament u gjetën foto por dhe objekte kulti përfshirë dhe pjesë të ikonostasit apo veshje të priftërinjve.
