Kushtetuesja nxjerr Emiljano Shullazin nga "41 Bis": Ju shkelën të drejtat gjatë procesit gjyqësor
Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje në procedurat e ndjekura nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme për izolimin e Emiljano Shullazit në sistemin e sigurisë së lartë "41 Bis" të burgjeve në korrik 2020. Sipas Kushtetueses, vendimi është bazuar në kërkesën e SPAK, që i referohej të dhënave sekrete se Shullazi vijon aktivitetin kriminal nga brenda burgjeve. Por këto të dhëna sekrete nuk janë paraqitur asnjëherë në proces dhe sipas Kushtetueses, kjo është parregullsi e kryer nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme.
Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje në procedurën e ndjekur nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme për një prej vendimeve të para të izolimit të të dënuarve në sistemin “41 Bis” të burgjeve shqiptare.
Pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga avokatët e Emiljano Shullazit, institucioni gjyqësor më i lartë në vend me një vendim të datës 22 shkurt 2022 ka konstatuar cënimin e të drejtës për proces të rregullt ligjor.
Ky problem sipas Gjykatës Kushtetuese është konstatuar gjatë gjykimit të ankimit ndaj urdhrit nr. 253, datë 28 korrik 2020 të ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin Emiljano Shullazi”.
Kushtetuesja thekson se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ajo e Apelit dhe Gjykata e Lartë, kanë marrë vendime antikueshtetuese për këtë çështje si pasojë e mosrespektimit të parimit të kontradiktoritetit.
Konkretisht Gjykata Kushtetuese përshkruan në vendim se vendimi i Gjykatës së Posaçme për izolimin e Shullazit në sistemin "41 Bis", ishte marrë në korrik 2020 bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK e kishte mbështetur kërkesën në “informacione sekrete”, të cilat në asnjë rast nuk janë paraqitur në proces, nuk i janë dorëzuar gjykatës dhe as nuk i janë dhënë avokatëve të të pandehurit.
Madje, Gjykata e Posaçme kishte nxjerrë urdhër për të marrë dosjen me këto të dhëna nga Ministria e Drejtësisë, por më pas ishte tërhequr nga ky vendim.
Nga ana tjetër SPAK ka pretenduar se informacionet sekrete nuk janë paraqitur në gjyq për shkak të mungesë së autorizimit për përdorimin e tyre.
Pavarësisht kësaj, SPAK i ka faturuar Shullazit akuza për vazhdimësinë e aktivitetit kriminal nga brenda burgut, madje edhe kontakte e takime edhe me lejimin e drejtuesve të burgut "313" me qëllim kanosjen e gjyqtarëve.
Gjykata Kushtetuese vëren se qëndrimi i SPAK dhe i vetë Gjykatës së Posaçme për të izoluar të pandehurin në sistemin "41 Bis" pa u njohur me provat ndaj tij, përbën shkelje.
Sipas vendimit, gjykata bën pjesë tek ato institucione të cilat duhet të njihen me materialet e klasifikuara sekret para se të vendosin cënimin e të drejtave themelore për personat që ndodhen në kushtet e kufizimit të lirisë së tyre në ambientet e paraburgimit ose të burgimit.

