SHBA 800 mln dollarë ndihma për armatime Ukrainës, Kremlini reagon ndaj Biden

Presidenti amerikan Joe Biden ka vendosur që ta mbrojë Ukrainën me të gjithë fuqinë amerikane nga sulmi rus. Së fundmi, SHBA-të kanë alokuar 800 milion dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, ku përfshihen sisteme të avancuara kundërajërore dhe drone.

Ka qenë më herët vetë presidenti ukrainas që i bëri apel popullit dhe qeverisë amerikane për ndihmë në një fjalim përpara Kongresmenëve amerikanë.

Moska deri më tani, pavarësisht sulmit të fortë ushtarak, nuk ka pushtuar asnjë nga qytetet më të mëdha të Ukrainës. Për armatosjen e mëtejshme të rezistencës ukrainase, shefi i Pentagonit Lloyd George pritet të mbërrijë këtë të enjte në Sllovaki.

Më herët, presidenti Biden ka bërë një akuzë të fortë ndaj homologut rus Putin duke e quajtur kriminel lufte.

Për këtë deklaratë të presidentit amerikan ka reaguar edhe Kremlini zyrtar. Ne konsiderojmë se këto lloj fjalime të presidentit amerikan janë të papranueshme dhe të pafalshme”,- u shpreh zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov.

Këtë të enjte, bëhen tre javë që kur kreu i shtetit rus, Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj Ukrainës. Qëllimi i tij i deklaruar, "çmilitarizimi" dhe “denazifikimi” i Ukrainës nuk është arritur dhe është konsideruar si propagandë për qëllime të brendshme në Rusi, nga shumë analistë perëndimorë. Ndërkohë, ekspertë ushtarakë amerikanë dhe britanikë thonë se sulmi rus në Ukrainë ka ngecur dhe tashmë Putini ndodhet në një situatë të vështirë brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare.