Rama: Të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE, por s'do humbasim asnjë minutë gjumë që kjo të ndodhë

Ndërsa negociatat me BE kanë mbetur pezull nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, kryeministri Rama shpreson që presidenca franceze të mund ti japë zgjidhje në qershor.

Por nëse kjo nuk ndodh Rama tha se do të vijojnë me reformat njësoj sikur kjo të ketë ndodhur.

Deklaratat Rama i bëri në konferencën e përbashkët me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borrell.

Edi Rama: Përsërita atë që dihet botërisht se Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vet natyral dhe jo se na e ka kërkuar njeri në Bruksel, Berlin, Paris apo në Uashington. Jemi anëtarë krenarë të një aleance të madhe si NATO dhe po ashtu europianë krenarë për qënien tonë europiane dhe shqiptarë që e shohim nga Europa derën e  të ardhmes tonë. Për të gjitha këto arsye ne jemi sot në këtë pozicion dhe për më tepër ky pozicion është një pozicion që na e imponojnë fëmijët tanë.

Lufta në Ukrainë është një vijë ndarëse mes botës që ne njohim mirë, të mungesës së të drejtave dhe lirive, të izolimit dhe dhimbjeve të imponuara nga një regjim autoritar dhe botës që kemi sot, e cila mund të jetë patjetër shumë herë më e mirë se çështë, por është pakrahasimisht më e mirë se bota që kishim. Në Ukrainë luhet fati i kësaj bote që kemi. Qëndrimi ynë nuk është një qëndrim parimor në raport me një vend dhe një popull tjetër por qëndrim jetësor ekzistencial në raport me fëmijët tanë dhe këtë atdhe që e kemi trashëgim nga të parët tanë dhe ku jemi thjesht kalimtarë.

Folëm për çështjen e çeljes së bisedimeve. Unë mbetem ku kam qenë më parë, se kjo është një çështje e KE dhe BE. Komisioni Europian e ka thënë në mënyrë të përsëritur se Shqipëria duhet të ulet në tryezë për të filluar bisedimet për anëtarësim, Këshilli Europian nuk ka arritur dot ta bëjë këtë për shkak të një bllokimi së fundmi të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo nuk është diçka që ne e kemi në dorë. Ne jemi këtu të gatshëm të ulemi menjëherë në tryezën e bisedimeve për anëtarësinë sapo të hapet drita jeshile por nuk do të humbasim asnjë minutë nga ai pak gjumë që flemë që kjo të ndodhë sepse ndërkohë do të vazhdojmë të bëjmë punën njësoj sikur të ishin hapur bisedimet.

I takon Këshillit Europian, sa më parë ta bëjnë aq më në nderin e tyre është sepse po kalon shumë kohë duke premtuar dhe mos mbajtur premtimet. Por ne kuptojmë që tanimë nuk është çështja e një vullneti të përbashkët të Këshillit Euriopian sepse të gjitha vendet janë tanimë të gatshme ti hapin këto bisedime, është çështja e një bllokimi mes dy vendeve të tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në qershor por dhe nëse nuk e bën presim kur të bëhet. Por nuk presim asnjë sekondë për të bërë të njëjtat punë që kemi bërë, duhet të bëjmë dhe do të bëjmë dhe që na afrojnë gjithmonë e më shumë me standardet e BE këtu në Shqipëri.

Shefi i diplomacisë europiane Xhozef Borel ishte sot në Tiranë në kuadër të një turi ballkanik që nisi dje në Maqedoninë e Veriut sot në Tiranë ndërsa nesër do të vijojë me një takim në Bosnje Hercegovinë. Deklaratat u bënë në konferencën për media organizuar sot (15 mars 2022) në kryeministri.