Energjia dhe pasojat e luftës, Rama-Borrellit: Nëse ka plan, BE të mos lërë pas Ballkanin si me vaksinat

I përballur prej ditësh me protesta kundër rritjes së çmimeve, kryeministri Rama shfrytëzoi praninë e shefit të diplomacisë europiane Josep Borrell në Tiranë për ti kërkuar BE që të mos përjashtojë Ballkanin Perëndimor nga ndihmat si me vaksinat, nëse gjithmonë do të ketë një plan mbështetës.

Rama: Fola me përfaqësuesin e  lartë të BE qoftë për domosdoshmërinë që nëse BE do të ketë një plan për të mbështetur vendet qoftë për përballimin e krizës energjitike që është pjesa më e rëndë e krizës, qoftë për përballimin e pasojave të tjera të luftës të mos e lërë Ballkanin Perëndimor  jashtë siç e lanë kur bënë skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave.

Rama i bëri thirrje gjithashtu BE që të përshpejtojë me projektin e Korridorit 8 , që me situatën në Ukrainë sipas Ramës shndërrohet në një korridor sigurie.

Rama: Nga ana tjetër të nxitohet mundësisht dhe projekti i Korridorit 8, një projekt që është prej disa kohësh në tryezë në planin ekonomik të investimeve por në këto kushte të reja bëhet dhe më strategjik në aspektin e një korridori sigurie.

Shefi i diplomacisë europiane Xhozef Borel ishte sot në Tiranë në kuadër të një turi ballkanik që nisi dje në Maqedoninë e Veriut sot në Tiranë ndërsa nesër do të vijojë me një takim në Bosnje Hercegovinë. Deklaratat u bënë në konferencën për media organizuar sot (15 mars 2022) në kryeministri.