Rritja e energjisë vë në vështirësi operatorët turistikë
Rritja e çmimeve në vendin tonë ka prekur të gjithë vendin, përfshirë këtu edhe sektorin e turizmit.
Rahman Kasa, kryetar i ATU-së i ftuar në emisionin ”Jeto me Orën” na tregoi se kjo rritje po i shkakton një kaos këtij sektori duke i prishur kështu edhe imazhin.
Një çështje e vështirë për bizneset e turizmit është se shteti nuk po i ndihmon edhe pse ka qenë më i godituri. Në një letër drejtuar kryeministrit të vendit ato kërkojnë subvencionime si dhe ti ndihmojë për të kaluar këtë vështirësi kaq të madhe.
Këto probleme ndikojnë drejtpërsëdrejti tek turistët duke i goditur kështu në xhepat e tyre. Sipas Fatos Cernishtit, turizmi ka shumë mangësi edhe pse kanë më shumë se 10 vite që konsiderohen një treg i ri dhe si sektor primar duhet të jenë më të avantazhuar nga shteti.
Në qoftë se kjo gjendje do vazhdojë kështu ky sektor do jetë në rënie dhe jo në progres. Romina Balla, një tjetër operatore turistike u shpreh se nafta është burimi kryesor i tyre për t’ju shërbyer klientëve dhe këto çmime ndikojnë në kontratat që ato kanë bërë sepse nuk mund ti ndryshojnë.
Nëse nuk kanë mekanizma mbrojtës nga shteti ky sektor mund të kalojë në një krizë të papërballueshme për të gjithë sektorin e turizmit, si tek operatorët ashtu edhe në sektorin e hotelerisë. Qëllimi i letrës së drejtuar kryeministrit është që ai të reflektojë dhe ti japë “një dorë” edhe këtij sektori.

