"Rama mburret me situatat e krizave, mendoj se i uron të ndodhin", Shehi: Vazhdon me abuzimet

Sot revolta qytetare kundër rritjes abuzive të çmimeve hyri në ditën e gjashtë. Mijëra protestues u mblodhën para kryeministrisë dhe i kërkuan zotit Rama të plotësojë kërkesat e tyre.

Kryeministri nuk e shikon protestën si një revoltë qytetare kundrejt rritjes së çmimeve, por si një turp kombëtar.

Ndërsa qeveria ankohet se nuk ka para, se populli duhet të shtrëngojë dhëmbët, të kursejë, pse jo të ecë edhe në këmbë se jemi në kohë lufte, bashkia e Tiranës po paguan 700 mijë euro për një koncert duke bërë aheng me paratë e taksapaguesve.

Deputeti Dashamir Shehi në një intervistë në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se kjo nuk është hera e parë dhe nuk kemi pse të çuditemi më me gjuhën e kryeministrit.

Shehi: Atje është vërtet luftë dhe ne duhet të mbajmë pjesën tonë të luftës në njëfarë mënyre sepse bota është globalizuar, ne jetojmë në këtë botë globale ku çmimet janë rritur nga lufta. Por çmimet ishin edhe më parë të rritura, s'mund t'ia vesh luftës. Në Shqipëri problemi është keqqeverisja, nuk është problemi thjesht i luftës. Kemi pasur periudha që s'ka pasur luftë dhe çmimet kanë qenë të rritura. Ky është mburrur gjithmonë me këto situata krizash saqë unë mendoj se ky i uron këto. Shyqyr që është kjo që të gjejmë një sebep, të vazhdojmë abuzimet, të kemi një justifikim. Një herë ishte pandemia, një herë tërmeti, tani na ndodhi lufta.

Zoti Shehi tha se teza e Ramës që protesta e qytetarëve i shërben Rusisë na kthen në kohën e Enver Hoxhës.

Shehi: Kush ankohej ishte me imperializmin amerikan, domethënë kush ankohet për zullumet që bën kjo qeveri ky e lidh tani me Rusinë. Nëse ka një njeri që duhet të dyshojmë ne se është aleat i rusëve është ky vetë.

Sipas zotit Shehi kjo është hera e parë që shqiptarët po ngrihen vërtete për hallin e vet dhe jo për hallin e partive. Ai shtoi se kjo është një shenjë e mirë dhe e konsideron revoltën e qytetarëve një shenjë pozitive.