"Jam arrestuar në mënyrë të vazhdueshme", aktivisti mesazh Ramës: S'kemi frikë, nuk e ulim kokën para policisë
Aktivisti Artion Barjamaj është ndër të rinjtë që është shoqëruar në mënyrë të vazhdueshme për shkak të protestave që janë zhvilluar, por kjo nuk do t'i ndalojë të kërkojnë të drejtat e shqiptarëve. I pranishëm në protestën para kryeministrisë, ai tha se nuk do ta ulin kokën as para policisë as para shtetarëve dhe korrupsionit.
"Jam ndër të rinjtë që jam arrestuar, proceduar penalisht, shoqëruar nga policia e shtetit në mënyrë të vazhdueshme për protestat që kemi zhvilluar. Strategjia e qeverisë për të trajtuar reagimet popullore është arrestimi, burgosja, intimidimi. Mesazhi i qartë dhe i pastër që dua t'i transmetoj sot për të gjithë ata policë, të gjithë ata shtetarë që tentojnë të na fusin frikën është se ne nuk do ta ulim kokën para krimit qeveritar, nuk do ta ulim kokën para policisë, nuk do ta ulim kokën para korrupsionit. Nuk do ta ulim kokën kur na shkelin të drejtat tona, ne jemi shqiptarë, jemi patriotë, jemi atdhetarë dhe është detyrë patriotike të reagosh në momentin që shkelen të drejtat e shqiptarëve të tu.
