"Nga 186 mijë, sot vetëm 108", shoqata e biznesit të vogël: Falimentuam nga politikat e qeverisë
Për të gjashtën ditë radhazi qytetarët janë mbledhur para kryeministrisë dhe po protestojnë kundër rritjes abuzive të çmimeve.
Bujar Muço, nënkryetari i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri u shpreh se ky grup është prekur më së shumti nga rritja e çmimit të karburantit. Para kryeministrisë, Muço tha se kjo krizë nuk ka filluar tani, por ka nisur para 6 muajsh. Ai tha se bizneset e vogla të cilat kanë falimentuar, kanë falimentuar për shkak të politikave të gabuara të qeverisë.
Muço: Jemi vendi që kemi çmimin e karburantit më të lartë në Evropë dhe në rajon në bazë të të ardhurave që ka çdo biznes apo individ. Jemi vendi që ka çmimin e energjisë më të lartë në rajon dhe mbarë sipas të ardhurave që kemi. Kjo krizë nuk lindi sot. Ne kemi qenë dhe para 6 muajsh dhe para 1 viti me çmimet më të larta të energjisë dhe karburanteve, janë dy produktet kryesore, gjaku i zhvillimit të ekonomisë. Qeveria të na shikojë me prioritetin më të madh, biznesin e vogël dhe të mesëm.
Jemi gjaku i ekonomisë dhe i zhvillimit, jemi grupi i interesit më i goditur në gjithë këto vite qeverisje. Kemi qenë 186 mijë biznese para 8 viteve dhe sot operojmë 108 biznese të vogla. Janë biznese që kanë falimentuar. Përse kanë falimentuar? Jo nga konkurrenca dhe jo nga paaftësia, por nga kjo qeveri me politikat e saj jo të drejta.
Zoti Muço i bëri dhe njëherë thirrje qeverisë që të kthejë sytë nga biznesi i vogël dhe të plotësojë 2 kërkesat e tyre kryesore, uljen e çmimit të karburantit dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike.
