Maluma koncert në Tiranë, i riu në protestë: Zdromsi i bashkisë ka harxhuar 1.4 milion euro për të bërë cirk
Të rinjtë dhe qytetarë të shumtë shprehën revoltën para kryeministrisë për të gjashtën ditë radhazi.
Ulja e çmimit të karburanteve dhe produkteve ushqimore ishin kërkesat e tyre kryesore. Por ndërsa qytetarët protestonin te kryeministria, paralelisht me ta qytetarë të shumtë ishin mbledhur në koncertin e organizuar nga bashkia në sheshin "Nënë Tereza" ku do të performojë Maluma.
"Shikoni çfarë po bën zdromsi i bashkisë aty, zdromsi i bashkisë ndërkohë që ne flasim për bukën, për naftën, për vajin, ka harxhuar 1.4 milion euro për të bërë cirk aty. A do të protestojmë aty apo jo? A do t'i lejojmë ata të tallen me bukën tonë? Unë them që protesta është me veprime dhe jo me fjalë. Një poet i madh thotë "Koha dridhet e përdridhet, por do të vijë dita që do të zgjidhet dhe nga trasta pema e kalbur doemos që jashtë do të hidhet. Koha dridhet e përdridhet dhe prej milionave palë-palë s'do t'ju mbesë gjë në dorë veçse vulë e zezë në ballë."
Grushti i fuqishëm do të bjerë mbi kryet e zuzarëve, koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve. Nuk do t'i lejojmë ata që të tallen me bukën dhe djersën tonë. Aty po harxhohen lekë nga paratë tona."
