"Rezistenca" opozita përplaset me qeverinë, Tabaku: Paketa e Ramës, fasadë
Për Partinë Demokratike paketa e rezistencës sociale e prezantuar nga qeveria “Rama” është fasadë. Jorida Tabaku deklaron se qeveria merr 20 milionë euro në muaj nga taksa e karburantit, ndaj apeloi që këto para t’u shpërndahen qytetarëve për përballimin e krizës së rritjes së çmimeve. Për ministren Balluku, problem këto ditë nuk është rritja e çmimeve të produkteve, por mungesa e tyre në treg.
Opozita e ka cilësuar fasadë paketën e rezistencës sociale të paraqitur nga qeveria Rama për të ndihmuar qytetarët pas rritjes së çmimeve.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet se me këtë paketë qeveria kërkon t’i hedhë hi syve të qytetarëve, të cilët prej 5 ditësh po protestojnë për çmimet e rritura.
Sipas Tabakut, qeveria përfiton 20 milionë euro në një muaj nga taksa e karburantit që fare mirë mund të shkonte në xhepat e qytetarëve. Por këto para shkojnë për incineratorët dhe PPP e tjera, shprehet deputetja e PD përmes rrjeteve sociale .
Për opozitën, inflacioni po prek nivele të pamenduara dhe kjo rritje e çmimeve zgjidhet vetëm duke ndërhyrë në politikat e taksave.
Diktatorët kanë sharmin e djallit
13 Mars, 15:03
Sipas saj, 60% e çmimit të naftës janë taksa që shkojnë për oligarkët dhe jo për qytetarët.
Nga ana tjetër, qeveria e shikon paketën si lehtësim për qytetarët. Ministrja Belinda Balluku në takimin me bizneset nuk i shikon problem çmimet e larta, por mungesën e produkteve në treg.
"Ajo që na shqetëson sot është sigurimi i sasive qoftë i energjisë, por dhe i naftës dhe i gazit. Të mos rikthehemi tek gjeneratorët, të cilat afektojnë direkt biznesin tuaj", tha Balluku.
Ashtu si kryeministri Rama, edhe Balluku paralajmëroi qytetarët që të përgatiten për situatën më të keqe.
"Shume shtete kanë dhënë urdhër për ndalimin e eksporteve të naftës dhe kjo po shkon dhe për eksportet e energjisë. Duhet te jemi të përgatitur për më të keqen", shtoi ministrja.
Pas marrjes së bashkisë së Peshkopisë në 6 mars, tashmë qeveria është e vendosur për të realizuar projektin e Skavicës. Sipas qeverisë ky projekt do t’i japë zgjidhje situatës së furnizimit me energji elektrike.


