"Kush mbjell uri, korr revoltë" Mbyllet protesta para kryeministrisë për tu mbledhur sërish nesër: Çdo ditë në orën 17:00 në shesh

Është mbyllur protesta para kryeministrisë. Në ditën e pestë kërkesat kryesore të qytetarëve ishin të njëjta, ulja e çmimeve dhe marrja e masave nga ana e qeverisë për të përballuar krizën.

Me thirrjet "Do dalim në rrugë me qindra, me mijëra. Po nuk ranë çmimet do bjerë qeveria", qytetarët paralajmëruan se çdo ditë do të jenë në shesh në orën 17:00 pasdite.

Para kryeministrisë u shpalos pankarta: "Kush mbjell uri, korr revoltë"

Ndërsa çdo të shtunë qytetarët kanë paralajmëruar tubim dhe marshim masiv nga sheshi drejt kryeministrisë.

Protesta ishte paqësore dhe nuk u regjistrua asnjë incident. Policia kishte marrë masat dhe ishte pajisur me kundragaz dhe spraj.

Paralelisht me protestën e Tiranës, po zhvillohen protesta edhe në qytete të ndryshme të vendit si Korçë, Kukës, Elbasan dhe Durrës.