Prej 1 viti fshihej në Angli, kapet në Vlorë Helidon Gjikoka, kërkohej për tjetërsimin e pronave

Është arrestuar në Vlorë, Helidon Gjikoka, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar si i përfshirë në tjetërsimin e pronave në zonën e Gjilekës në Dhërmi.

Ndalimi i Gjikokës, është bërë nga efektivët e policisë së Krimit-Ekonomik në qytetin e Vlorës, ndërsa ai kishte ardhur nga Anglia. Prej disa kohësh Gjikoka, kërkohej nga policia pasi gjykata e Tiranës prej muajit Tetor 2020 e ka shpallur në kërkim për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda” dhe “Falsifikimit të dokumenteve” me qëllimin e vetëm tjetërsimin e një prone prej 1430 M2.

Gjikoka ka qenë në datën 10 Mars në qytetin e Vlorës kur është arrestuar. Ndërsa ditën e djeshme, gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndaj tij.

Në shtator të vitit 2020, Prokuroria e Tiranës depozitoi në gjykatë kërkesën për arrestimin e Helidon Gjikokës, por për shkak të dekonspirimit të informacionit në gjykatë, Gjikoka mundi të largohej nga Shqipëria, duke i shpëtuar prangave dhe gjetur strehim në Angli.

Por kohët e fundit ai ishte kthyer në Vlorë, dhe frekuentonte hapur prej kohësh lokalet e Vlorës, deri sa në 10 Mars oficerët e krimit ekonomik bënë arrestimin e tij.