Revolta nuk ndalet! Protesta qytetare kundër rritjes së çmimeve vijon nga jugu në veri
Për të pestën ditë radhazi, revolta për çmimet e larta vijoi nga jugu në veri! Përfaqësues të shtresave të ndryshme zbritën ne rrugët e sheshet e Devollit, Korçës, Kukësit e Gjirokastrës për të kërkuar që reagimi i qeverisë të jetë i shpejtë dhe të ndjehet nga të gjithë.
Fermerët e Devollit ishin të parët që nisën protestën në ditën e pestë të revoltës qytetare kundër rritjes së çmimeve.
Paqësore deri në fund, para drejtorisë së Bujqësisë treguan situatën me të cilën po përballen.
"Mollët po i presim të gjitha, naftën nuk e marrim dot."
"Na ka shkuar aty ku nuk mban më."
Thonë se punojnë dhe nuk fitojnë.
Mollët e famshme të zonës me vështirësi po i shesin lirë, ndaj po detyrohen t'i presin.
"Molla kushton 200 lekë, po ta shes se 30 lekë un me çfarë do jetoj."
Ata që punojnë tokën, kur bëjnë llogaritë e kostove të shtuara, thonë se po detyrohen t'i lënë djerr.
"Ne i mbollëm tokat, por nuk i shërbejmë sot."
Paketën e rezistencës sociale dhe kontrollin e çmimit të naftës nga qeveria, e konsiderojnë të pamjaftueshme.
"Duhen marrë masa konkrete, t'i përgjigjet thjesht dhe qartë."
Një orë pas fermerëve të Devollit, në protestë dolën qytetarët e Korçës.
Me duartrokitje e pankarta marshuan paqësisht në rrugët e qytetit kundër çmimeve të rritura.
Një prej tyre kishte dalë në shesh bashkë me lopatën me të cilën siguron bukën e gojës.
"Me lopatën dal për punë, gjej ndonjë punë."
Veç rritjes së çmimeve, përballë të cilës kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë, denoncuan sjelljen e dhunshme të policisë.
"Frika dhe presioni i madh bëri që njerëzit të mos dalin."
Kukësi është qarku më i varfër në vend, dhe rritja e çmimeve do të thotë më pak ushqim në tryeze për shumë familje.
"Kukësi, vendi më i pasur, njerëzit më të varfër për 30 vjet."
Të shumtë në numër marshuan në shëtitoren kryesore të qytetit duke kërkuar qeverisje të përgjegjshme.
"Ne nuk jemi të Shtëpisë së Lirisë, por jemi të shtëpisë së fëmijës. Kemi fëmijë në shtëpi."
Protesta kundër rritjes së çmimeve pati edhe në Gjirokastër.
Në Lushnje protestuesit dolën pasdite në rrugë të thirrur nga Sindikata e Fermerëve.
Një nga fermerët foli për humbjet në këtë periudhë krize.
"Jam shumë i lumtur që populli ynë më në fund u zgjua dhe po kërkon të drejtat e tij ligjore. Ne si fermerë po përballemi me shumë vështirësi, nuk kemi me çfarë ti blejmë plehrat, plastmasin etj. Çmimet janë trefishuar të gjitha.
Ata pak që kanë mbjellur nuk kanë lekë të blejnë plehra t'u hedhin, ndërsa shumica i kanë lënë ashtu si unë që po e mendoj të largohem sërish nga erdha, në Itali. Hodha kursimet e mia, tani si familjarë nuk kemi tu plotësojë kushtet minimale fëmijëve. Me çfarë lekësh të blejmë kur prodhimet tona shiten me 20, 30 apo 40 lekë.
Kemi familje për të mbajtur. Kur nëna me lot në sy nuk ka ti japë fëmijës një 200 lekëshe për në shkollë, sepse ajo mendon ditë e natë si ti shkollojë fëmijët e vet. Ne jemi shumica zotëri, nuk jemi pakica. Fëmijët tuaj janë në shkollat më të mira jashtë ndërsa fëmijët tanë nuk kanë të paguajnë furgonin për të shkuar në shkollë.
Ju jeni pakica, që fëmijët tuaj lëvizin me mijëra euro në xhep dhe makina të shtrenjta. Nuk po ju lypim asgjë por po u kërkojmë të drejtat tona siç e kanë vendet fqinje Kosova dhe Maqedonia, që ndihmojnë fermerët. Duam atë që na takon, mbështetje për shtresën e ulët. Prandaj jemi atje, për shumicën".

