Përjashtim i dytë i Berishës? Bumçi: S'ka peshë më të rëndë se ai në PD, me 70% të votave të demokratëve

Pesë orë mbledhje në selinë e PD u mbyllën me një hap pas të Lulzim Bashës dhe kërkesëne  deputetëve demokratë për tërheqjen e tij dhe Sali Berishës.

Por Aldo Bumçi, pjesë e Grupit të Rithemelimit thotë se kërkesa për të përjashtuar Berishën nga gara për kreun e PD, për të cilën ka shpallur dhe kandidaturën, thotë se është jopolitike dhe jodemokratike.

I ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj, Bumçi thotë se nuk mund ti thuash ik politikanit që ka 70% të votave të demokratëve, pa pasur as logon e partisë që themeloi.

Bumçi: Kjo shtrohet në një mënyrë terësisht jopolitike dhe jodemokratike dhe gjithçka e tillë nuk duhet ndjekur se është e dëmshme. Ti thuash dikujt mos kandido është jodemokratike. Ti thuash personit që dominoi fushatën me 3-4 takime në ditë dhe mori 70% të votës së demokratëve duke mos pasur logon, se do kishim tjetër rezultat, e hasa vetë në fushatë.

Personi që mori 70% të votave të demokratëve si mund të largohet nga projekti për ringritjen e PD? Kjo është vendimmarrje e tij dhe ai e ka shprehur që garon për PD dhe unë besoj se duhet ta bëjë. Berisha është në këtë periudhë i domosdoshëm, jo dëm por vlerë për ta ringritur.

Duke komentuar mbledhjen e grupit parlamentar të PD, ai thotë se nuk justifikon ish-kolegët deputetë që rrinë 6 orë me Bashën në mbledhje dhe nuk i bëjnë të qartë se duhet të lëshojë karrigen e kryetarit.

Bumçi: Është e pakuptimtë pse rrinë deputetë 6 orë me të në mbledhje, nuk është humbja e 2017, as 2021. Është pas 9 vitesh, pasi e ka shkatërruar atë forcë politike, e ka nxjerrë të tretën. 6 orë mbledhje janë pa kuptim, i thuhet shumë qartë ti nuk je më kryetar dhe kaq.

E ndërsa kjo lëkundje e tyre motivohet me kundërshtinë e rikthimit të Berishës, ish-deputeti parashtron një sfidë ndaj tyre.

Bumçi: Ata kanë të drejtë të jenë për një projekt tjetër, të ndërtojnë një aleancë të madhe mes demokratëve, të dalin me një emër, le të mundohen të na bindin që ai emër dhe projekt është më i mirë se zoti Berisha apo të tjerë dhe të kërkojnë votën 60-70 mijë demokratëve votues.

Mbështetës i projektit Berisha për ringritjen e PD-së, Bumçi thotë se i beson përvojës politike të tij.

Përjashtim i dytë i Berishës? Bumçi: S'ka peshë

Bumçi: Rithemelimi nuk është thjesht personi Berisha por ai është personi kryesor. Besoj se jemi në një krizë të thellë dhe çdo krizë kërkon njerëz që kanë një kapital politik, autoritet. Nuk e zgjidh krizën dikush pa autoritet. Kriza Ukrainë-Rusi, kush mund ta bëjë negociatorin? Flitet për Macronin, gjermanët, kinezët, por nuk mund të shkojë Shqipëria të bëjë negociatorin. Janë pesha të rënda që zgjidhin krizat, nuk ka peshë më të rëndë se Sali Berisha për ta mbledhur. Ka kaluar në këto ujëra. Gjithçka është përvojë.

Në këtë periudhë vetëm ai e ringre duke bashkëpunuar, jo i vetëm. Se ringriti i vetëm as pas '97, por ishte ai guri i themelit mbi të cilin u ngrit projekti. Duhet të pranojmë votën. Ata që thonë Sali Berisha nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhje i dalin kundër më shumë se 2/3 të demokratëve, 70%. Ata që thonë të mos hyjë Berisha në garë duan të përjashtojnë këta njerëz. Ai është guri i themelimit, por nuk ndërtohet me një. Kjo është përvoja që unë besoj, e di si i drejtohet dora dhe dikujt që ke pasur përplasje.

Por a e çon Berisha PD në fitore dhe a ngjit ai te elektorati gri?

Bumçi: Sali Berishën në gusht dhe shtator e besonte njeri që do ishte këtu pas shpalljes non grata dhe përjashtimit nga Basha. Sot ka ndodhur diçka që nuk besohej, u fitua Shkodra. Po të bashkohemi nga 60 mijë vota, 31% që morëm, të shtojmë edhe 14% shkojmë te 45%. Momentin që bashkohemi, njerëzit që nuk u bashkuan dhe nuk dolën të votonin, bëjmë të shkojmë 100 mijë se është energji. Nuk thotë njeri që del Berisha i vetëm dhe fiton zgjedhjet. Jo. Por Berisha si njeriu që ka përvojën, përfaqësimin politik, nuk mund të hiqet 80% e strukturës dhe 70% e votuesve. Nuk mund ti thuhet dikujt hiqe këtë. Si ta heqim ne?

Ky është kapitali i tij, siç ka një shkrimtar veprat, një muzikant këngët, një futbollist golat. Si mund ti hiqet një personi vota? Politikani bazohet te vota. Me këtë dhe gjithë të tjerët, Berisha ka treguar se ndërton një PD të madhe. Besoj te një projekt që karriera nuk vendoset as nga kryetari dhe as kryesia, por te një anëtar një votë. Ti thuash personit që ka pjesën më të madhe të mbështetjes që ti largohu nga ky projekt i shërben Edi Ramës, e bën në mënyrë indirekte kur nuk do të ringrihet PD. Kjo është një shtëpi e madhe ku kanë vend të gjithë nga dhjetori '90 e deri më sot.

Deputeti nuk përjashton as ngritjen e një Komisioni të Përkohshëm nga të dyja palët për ristrukturimin e plotë të partisë.

Bumçi: Ne nuk përjashtojmë asgjë, jemi treguar të hapur dhe kur i krijua Komisioni i Rithemelimit por nuk erdhën, 14 deputetë erdhën në atë moment. Dakord për çdo projekt të përbashkët për ta ringritur PD, por ky projekt nuk mund të përjashtojë mekanizmin e votës së lirë, të drejtën e çdokujt për të kandiduar.