Rama: Lufta ndikoi te çmimet, brenda javës do të kemi skenarin për të përballuar situatën
Për kryeministrin e vendit Edi Rama lufta në Ukrainë e ndikoi edhe më shumë krizën energjetike, edhe çmimin e naftës e gazit.
Ai bëri me dije se do të ketë skenarë për brenda javës për të përballuar këtë situate të provokuar nga një luftë që sipas tij nuk e di askush se sa mund të zgjasë.
Edi Rama: Lufta e impaktoi edhe më shumë krizën energjetike, e impaktoi fortë edhe çmimin e naftës e gazit, ne themi që do e mbrojmë. Kjo qeveri nuk i ka kthyer kurrizin njerëzve, por rri e tërë e përqendruar si të adresojë sa më mirë problemet e vendit dhe të lehtësojë hallet e vendit. Kur thash që ka nisur kjo krizë, të tjerët thanë që është lojë për të rritur çmimin e energjisë, ja ku jemi sot në një situatë ku njëri prej prodhuesve më të mëdhenj të gazit e naftës në botë, Rusia ka hyrë në luftë dhe çmimet po kapërcejnë. Ne kemi gjykuar që është detyra jonë të mbrojmë të gjithë qytetarët dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë. Kjo qeveri si asnjë tjetër më parë nuk mund të akuzohet kurrë për mospasjen e vëmendjes ndaj njerëzve të këtij vendi, sidomos atyre në nevojë, me fakte jo fjalë.
Pardje thash që brenda kësaj jave do kemi skenarë të përballimit të kësaj situate të provokuar nga një luftë që nuk e di askush se sa mund të zgjasë. Dua t’ju kërkoj mos të jemi të ndarë te fakti se rritja e çmimit të energjisë, gazit, naftës e miellit nuk vjen sepse Shqipëria iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë, por vjen njësoj si për të gjitha vendet, edhe në Serbi njësoj po rriten çmimet.

