Mungojnë dy avokatët e të pandehurve, shtyhet në SPAK gjyqi ndaj Etien Canin, Çapjave dhe të tjerëve

Mungesa e dy avokatëve, ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore kundër pesë të pandehurve që akuzohen nga prokuroria e Posaçme SPAK, për ekzekutimin e Gentian dhe Nezir Beqirit, në 15 gusht të vitit 2012.

Skerdilajd Dalipi dhe Pranvera Doçi, ishin avokatët që mungonin seancën e djeshme, duke sjellë dështimin e vijimit të seancës gjyqësore.

Procesi gjyqësor është në fazën përfundimtare, pasi nga lista e prokurorisë së posaçme SPAK, mësohet se kanë mbetur për tu pyetur dhe tre dëshmitarë.

Ende në këtë proces gjyqësor, nuk është marrë dëshmia e bashkëpunëtorit të prokurorisë, Ervis Bardhi, i cili ka treguar me detaje të gjithë dinamikën dhe pazaret që kanë kryer me Ardian dhe Florenc Çapjan, për vrasjen e Gentian Beqirit.

Por gjykimi ndaj të pandehurve Ardjan Çapja, Etien Cani, Ervis Bardhi dhe Klajdi Dokoli, është shtyrë disa herë si pasojë e mungesës së avokatëve.

Pritet që seanca e radhës të zhvillohet në 23 mars, ku është planifikuar të dëshmojnë tre dëshmitarët e fundit të SPAK.

Pas përfundimit të tyre, pritet që SPAK, të pyesë dëshmitarin kryesor të kësaj dosje, Ervis Bardhin.

Ndërsa për këtë ngjarje vijojnë të jenë në procedura ekstradimi, Jorgo Leku në Greqi dhe Florenc Çapja në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.