Grida Duma refuzoi t'i bashkohej, Berisha: E respektoj!
Deputetja demokrate Grida Duma pasi dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares së partisë, nuk pranoi t'i bashkohej Shtëpisë së Lirisë. Ajo e cilësoi bashkimin me ish-kryeministrin si një hap pas. Sali Berisha në një deklaratë për mediet jashtë ambienteve të Parlamentit, tha se respekton çdo mendim të cilitdo.
Berisha: Unë kam theksuar se cili është qëndrimi im dhe i PD. Hapje të plotë ndaj të gjithë atyre mbi bazën e kontributeve, ndaj të gjithë atyre që pranojnë votën e lirë.
Zoti Berisha gjatë fjalës së tij përshëndeti qytetarët të cilët dje, 9 mars dolën në protestë kundër rritjes së çmimeve. Ai i siguroi se në kauzën e tyre do të kenë mbështetjen e opozitës.
Berisha: Ndërgjegjja qytetarë është zgjuar më fuqishëm se kurrë, po merr protesta përmasat e një uragani. Ka mbështetjen më të fuqishme të popullit opozitar. Kauza e saj është kauza më e drejtë që lidhet me ekzistencën e qytetarëve dhe familjeve shqiptare të cilat korrupsioni i kësaj qeverie i ka shtyrë drejt niveleve të frikshme të varfërisë. Çmimet e papërballueshme të ushqimeve dhe naftës janë në backgroundin e një lufte në Evropë por janë të pakrahasueshme me vendet e tjera.
