Në shesh për çmimet, protestë në Prrenjas, Vlorë e Shkodër
Qarkullimi nga Librazhdi në Pogradec u ndërpre për disa minuta gjatë së enjtes, 10 mars.
Dhjetëra qytetarë të Prrenjasit bllokuan këtë aks në proteste kundër rritjes së çmimit të karburantit.
Protesta u mbajtën edhe në Vlorë ku qytetarët bllokuan akse rrugore.
Të revoltuar bënë thirrje ndaj qeverisë për të ndërhyrë.
"Është turpi i botës që po tallen me këtë popull. Po e lënë në mes të katër rrugëve."
Të pakënaqur ishin edhe të huajt që jetojnë në Vlorë.
"Janë shumë para për karburant. Derivatet po kushtojnë më shumë se në Itali. Është e papërballueshme."
Kundër rritjes së shfrenuar të çmimeve në Shkodër protestuan studentët.
“Ministrja me Range Rover, qytetarët në këmbë” ishte vetëm një nga pankartat që kishin zgjedhur.
"Gjithçka është e lidhur me çmimin e naftës. Nuk është luks, luks është të shëtisësh me "Range Rover" dhe të japësh këshilla për qytetarët."
Të revoltuar kërkojnë zgjidhje.
"Darkën e fundit te Nusreti kur do ta hani? Në Dubai keni shkuar dhe atje do ta hani."
Kundër rritjes së çmimeve protestuan edhe qytetarët në Kukës.
"Shtetit i bëjmë thirrje të rrisin dhe rrogat, meqë çmimet janë rritur."
Protestat kundër shtrenjtimit te paprecedente të karburanteve dhe rritjes së produkteve ushqimore nisën të mërkurën në Tiranë, ku mijëra persona mbushën sheshet dhe rrugët për tu kthyer aty çdo pasdite deri në një reagim nga qeveria.

