Migert Qosja u dorëzua në polici qysh të dielën, policia e "shet" si arrestim. Ja sa u dënuan të tjerët
Është vetëdorëzuar në policinë e Elbasanit, Migert Qosja, personi që akuzohet nga prokuroria si njeriu që ka plagosur me armë zjarri, Ervis Koçin ose siç njihet ndryshe në Elbasan, me nofkën Vis “Korçari”.
“Ora News”, mëson se Migert Qosja është vetëdorëzuar në polici ditën e diel, 6 mars, ndërsa ditën e sotme policia e këtij qyteti ka bërë njoftimin e arrestimit të tij.
Vetëdorëzimi i tij vjen vetëm pak kohë pasi gjykata e Elbasanit, vendosi të dënojë disa nga personat e tjerë që ishin marrë të pandehur në këtë dosje.
Për ngjarjen e 25 nëntorit 2020, është dënuar me 5 vite burgim, Ervis Çaushllari alias Elvis Koçi,
Njeriu që siç thirret ndryshe në Elbasan me nofkën “Vis Korçari”, në 3 shkurt 2022, është deklaruar fajtor dhe dënuar me 5 vjet heqje lirie për akuzën e “Mbajtje pa lejë dhe prodhimit të armëve të zjarrit”.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht, gjykata e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim. Gjykata fajtor ka deklaruar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe Ersi Çekanin, ku fillimisht ai është dënuar me 1 vit e 1 muaj burgim.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Çekani, përfundimisht u dënua me 9 muaj burgim.
Një tjetër i pandehur për këtë ngjarje është dhe Feliks Filja, i cili për “Moskallëzim Krimi” është dënuar me 8 muaj e 11 ditë burgim. Ndërsa i pandehuri tjetër Armand Ceveli, është dënuar me 10 muaj burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.
Njoftimi i policisë
Elbasan
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan bënë ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, më datë 29.11.2020, për shtetasin në kërkim M. Q., 27 vjeç, banues në fshatin Mjekës, Elbasan, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas, më datë 25.11.2020, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, pas një konflikti me shtetasin E. K., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur atë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme."
