Pro dhe kundër Bashës, vijon "lufta" në PD
"Për sa kohë unë vetë thuajse nuk kam asnjë përgjegjësi dhe jap dorëheqjen.."
Grida Duma në daljen e parë për mediet pas zgjedhjeve të gjashtë marsit deklaron se nuk ka asnjë përgjegjësi për rezultatin.
Duke përsëritur edhe një herë kërkesën për largimin e Bashës ajo shton se vetë ka hequr dorë nga çdo detyrë në selinë blu.
"Kur shumica e grupit parlamentar ka kërkuar me shumë normalitet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët që partia të shkojë drejt zgjedhjeve dhe sërish vazhdon e mban kreun e partisë megjithëse nuk ka dakordësinë e shumicës, di të thotë që kjo është përfitimi i vetëm i tij", tha Duma.
Madje ajo shigjeton Bashën duke I kujtuar se një pakicë nuk mund të mbajë gjithë partinë.
"Situata ka shkuar në ekstremin më maksimum dhe nuk mund të mbahet PD me asnjë pakicë", tha Duma.
Në të kundërt me Dumën dhe rreth 20 deputetë dhe anëtarë kryesie është Gazment Bardhi. Duke pranuar se diçka nuk shkon në PD ai shton se është herët për të folur për dorëheqje.
"Nuk mund të dalësh në konkluzione për përgjegjësi pa ju nënshtruar një procesi analize. Cilido që del në konkluzione pa ju nënshtruar këtij procesi nënkupton që nuk vendos të parin interesin e PD", tha Bardhi.
Pas revoltës së deputetëve, në selinë e PD u zhvillua dhe një takim me kryetarët e degëve në rrethe. Ishin këta të fundit që kërkuan qëndrimin e Bashës duke shtuar se janë parlamentarët që në fushatë shkojnë për foto e selfie.

