Të jetosh me 9500 lekë! Çifti i të moshuarve: Lufta na ka ardhur në ekonomi, Qeveria të na ndihmojë

Karafil Xhezaj dhe Merjeme Xhezaj jetojnë prej vitesh me pensionin i cili pas rritjes së fundit të çmimeve në vend është bërë më i pamjaftueshëm se asnjëherë më parë.

Bashkëshorti 75 vjeçar merr nga shteti 12 mijë lekë ndërsa gruaja 67 vjeçe merr pension kooperative në masën e 10 mijë lekëve.

Të ardhurat e tyre në total janë 22 mijë lekë ndërsa menaxhimi i tyre duket një sfidë më vete.

"Ne marrim 30 mijë lekë ilaçe, gruaja merr rreth 50 mijë. Dritat i paguajmë 25 mijë, ujin e kemi afrofe 20 mijë", tha zoti Xhezaj.

Pas pagesës për nevojat jetike thonë se u mbeten 9 mijë e 500 lekë mijë lekë me të cilat shtyjnë muajin.

"Me 100 mijë të hamë, të pimë, të shkojmë te shoku, te miku", tha zonja.

"Është keq, pensionistët janë keq", tha zotëria.

75 vjeçari thonë se dhe për 10 ditë merr pensionin ndërkohë që ka në dispozicion vetëm 1mijë e 700 lekë të mbetura.

"Çfarë të blejmë me ato lekë", tha zonja.

Edhe pse kanë dy fëmijë jashtë Shqipërisë përpiqen t'ia dalin vetë.

"I kemi jashtë fëmijët, ata kanë fëmijët e tyre", tha zotëria.

"Edhe ata me fëmijët e tyre, me hallet e tyre" tha zonja.

Me rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve jetesa për to po vështirësohet akoma më shumë ndaj apelojnë qeverinë që ti ketë në vëmendje pensionistët.

"Qeveria duhet të na ndihmojë se çmimet janë shumë të larta. Lufta bëhet andej dhe mos ardhtë kurrë  këtu, por ne na ka ardhur këtu pa gjë fare. Ne na ka ardhur lufta në ekonomi, na ka ardhur me varfëri", tha zoti Xhezaj.