Operacioni masiv i SPAK kundër trafikut të drogës, në pranga edhe efektivi i Gjirokastrës dhe i Tepelenës

Dy efektivë policie u arrestuan me urdhër të SPAK si pjesë e aktivitetit të pesë grupeve kriminale që kryenin trafikim droge mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Operaconi i kryer pas hetimeve 3 vjeçare të SPAK u finalizua me ekzekutimin e 35 urdhër-arresteve nga 44 të firmosura nga grupi hetimor.

Një hetim i nisur tri vite më parë nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit u finalizua të enjten me ekzekutimin e 35 urdhër arresteve ndaj personave të përfshirë në trafik, prodhim dhe kultivim të drogës. Në total, gjykata ka firmosur 44 urdhër-arreste.

Mes të arrestuarve janë edhe dy efektivë policie të komisariateve Tepelenë dhe Gjirokastër, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”.

I nisur që në orët e para të ditës së enjte operacioni, do të vijojë deri në arrestimin e të gjithë të akuzuarve, ndërkohë që dyshohet se mund patur edhe dekonspirim të tij.

Në njoftimin e SPAK, bëhet me dije se gjatë hetimeve, Prokuroria ka mundur të evidentojë 13 episode kriminale të trafikimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë, qytete ku edhe u shtri operacioni i zhvilluar.

Lënda narkotike trafikohej kryesisht në Maqedoni të Veriut.

Veprat e dyshuara kriminale janë kryer gjatë periudhës nga marsi deri në nëntor të vitit 2020.

SPAK bën me dije se arriti të provojë veprimtarin kriminale të pesë grupeve të ndryshme, për të cilët Gjykata e Posaçme firmosi 42 masa “arrest në burg”, mes tyre edhe dy efektivë policie, 1 “arrest shtëpie” dhe 1 grua nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme rezultoi se Fejzi Meçaj, punonjës policie në Komisariatin e Tepelenës, dhe Adriatik Logli, efektiv i Policisë së Gjirokastrës, kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, duke i lehtësuar punën e trafikantëve për kultivimin e lëndëve narkotike.

Dosja

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer hetime proaktive në kuadër të procedimit penal nr.130 të vitit 2019.

“Në këtë procedim penal janë hetuar shumë episode dhe një numër i madh personash të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikeve”, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 283, 248, 333/a dhe 334 të Kodit Penal”

Për 42 persona është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”

1 person është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”

1 person është caktuar masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”