Qytetarët në protestë, gazetari i ekonomisë: Ja sa do kushtojë rritja e çmimit të naftës në xhepin tonë
Vetëm pak ditë më parë është vënë re një rritje alarmante e çmimeve të produkteve bazë, por edhe të produkteve hidrokarbure.
Në pikat e shitjes me pakicë, çmimi i naftës dhe benzinës ka arritur nga 230 deri në 250 lekë për litër. Kjo është rritja e tretë brenda pak ditësh. Në një lidhje direkte nga protesta e qytetarëve me emisionin “Jeto me Orën” gazetari i RTB Ora, Isa Myzyraj tregoi se pasojat e luftës në Ukrainë kanë ndikuar në rritjen e çmimeve në vendin tonë. Ai na tregoi gjithashtu se qytetarët që protestojnë janë të shumtë në numër.
Kjo protestë sipas gazetarit tregon që qytetarët shqiparë protestojnë jo vetën kur bëhet fjalë për partitë politike. Qytetarë të shumtë kanë protestuar para kryeministrisë duke pritur kryeministrin e vendit për një reagim nga ana e tij.
Joel Kërkuti i ftuar në emision na tregoi gjithashtu se në rritjen e këtyre çmimeve kanë ndikuar dhe taksat e larta. Kjo barrë fiskale ka ndikuar negativisht në xhepat e konsumatorëve. Ne jemi në një situatë ku çmimi i naftës në vendin tonë është më e larta në rajon sipas Kërkutit.
Jemi në një situatë të tillë që as nuk mund të kalkulojmë një mesatare të rritjes së çmimit të naftës pasi po rritet brenda natës. Duke e krahasuar me vitin që lamë pas Kërkuti shprehet se “Çmimet kanë pasur një rritje alarmante”.
Sipas Joelit rritja e çmimeve ka ndodhur 4 herë brenda ditës, një situate paniku e cila tashmë ka kapluar të gjithë qytetarët. Përveç kësaj edhe kryeministri i vendit ka ngritur duart duke ju thënë qytetarëve të “shtrëngojnë dhëmbët përpara kësaj situate”. Edhe pse vendet e rajonit kanë një mënyrë jetese më të mirë se Shqipëria ne kemi çmimet më të larta.
Sipas Joel Kërkutit pritet që çmimet të rriten ndjeshëm në muajt në vazhdim. Kemi një situatë deri-diku të rëndë edhe në produktet e drithërave, produkti bazë ushqimor.
Sipas qeverisë ruse nafta mund të shkojë deri në 300 dollarë për fuçi. Rexhin Qoshja dhe Konstandin Foni, përfaqësues të shoqatës së transportit të ardhur direkt nga protestat në studion e “Jeto me Orën” treguan për një sensibilizim të qytetarëve.
Sipas Qoshes situata në vendin tonë është për të ardhur keq. Ai na tregoi gjithashtu që i kanë bërë propozime të ndryshme qeverisë për sa i përket rritjes së çmimeve të biletave por skanë marrë ende asnjë reagim. Tashmë autobusët janë të paktë në numër pasi ky sektor ka gjeneruar humbje të shumta.
Që transporti publik në Tiranë të mbijetojë sipas Fonit, bileta duhet të rritet deri në 80 lekë. Situata në vendet fqinje për sa i përket sektorit të transportit është më e lehtë sepse riskun nuk e merr operatori. Nëse situata do mbetet në këtë status-kuotë brenda pak ditës operatorët mund të mbyllin plotësisht linjat e transportit.

