Rritja rekord e naftës, Çepani thirrje qeverisë: Mos u tallni me djersën e shqiptarëve, ulni taksat

Qindra qytetarë janë mbledhur sot para kryeministrisë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve të naftës dhe të produkteve ushqimore.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Edlira Çepani, në fjalën që ka mbajtur përpara qytetarëve, kërkon ulje të taksës së karburantit.

 Ajo thotë se vendi jonë ka çmimin më të lartë të taksës së karburantit në rajon.

Edlira Çepani: Kujt nga ju nuk i ka ardhur në majë të hundës me abuzimet që bëhen nga lekët e qytetarëve. E dimë që ka luftë, e dimë që ka abuzime. Kemi taksën e karburantit më të lartë në rajon dhe Evropë. Të behet kontroll i tregut. Është koha për të ulur taksat. Paguajmë 130 lekë për çdo litër karburant. Duhen mbështetur shtresat në nevojë.

Nuk mund të tallemi me bukën e tyre, me djersën dhe gjakun e tyre. Kush nga ju ka pritur me orë të tëra në të ftohtë sepse transporti urban kishte protestë dje për rritjen e çmimeve? Do ta ngrejmë zërin deri në fund. Kjo që po ndodh në Shqipëri është padrejtësi. Duam mbështetje, duam kontroll, duam ulje të çmimeve përmes uljes së taksave.

Që nga nisja e luftën në Ukrainë, çmim i naftës në vendin tonë pësoi një rritje alarmante duke shkuar në 269 lekë, një çmim rekord.