Transporti urban në Tiranë ul numrin e autobusëve në qarkullim, qytetarët: Po na vdesin!

Paralajmërimi i rritjes së çmimit të biletës së autobusit nga 40 lekë në 80 lekë nuk është pritur mirë nga qytetarët të cilët thonë se ata nuk po ja dalin të ushqehen e jo të paguajnë dyfish për transport. Sipas tyre gjithçka që po ndodh ka të bëjë me mosmenaxhimin e qeverisë.

Kjo është pamja që ndeshesh në orët e para të mëngjesit ose në oraret e pikut të lëvizjes së qytetarëve.

Autobusët janë të tejmbushur ndërsa qytetarët do të duhet të presin ose lëvizin në këmbë. Kjo situatë vjen pas vendimit të shoqatës së transportit urban dhe interurban për të përgjysmuar kapacitetin e flotës.

Sakaq me rritjen e çmimit të naftës nga dita në ditë, shoqata e transportit ka paralajmëruar shtrenjtimin e biletës nga 40 lekë në 80 lekë si e vetmja zgjidhje për të shmangur falimentimin.

Por kjo rritje konsiderohet e gabuar nga ana e qytetarëve të cilët thonë se kjo rritje është e papërballueshme për to.

“Jo nuk jemi dakord, pse të shkojë 80 lekë. Unë jam invalid për shembull. Si puna ime ka sa të duash. Ku do t’I gjejnë njerëzit 4 mijë lekë.”

“Jemi te vujt për copë të bukës. Pensionet nuk ngrehen, 100 mijë lekë kuintali i miellit, 4 mijë lekë 1 kilogramë vaj."

“Nafta 30%, shërbimet 20%, çmimet e shportës 35%.  Faji është mosmenaxhimi nga ana e qeverisë.”

Operatorët janë shprehur se me rritjen e naftës nuk janë në gjendje të operojnë me 100% të kapacitet dhe që prej datës 8 mars secili operator ka vendosur të me 20, 30, 70% të kapacitetit.