Dy vjetori i pandemisë, rritja e pagave në shëndetësi do të vazhdojë

Versionet e reja të covid mbeten sfidë për sistemin shëndetësor në 2 vjetorin e nisjes së pandemisë. Në konferencën e organizuar me këtë rast ministrja e Shëndetësisë premtoi rritje të mëtejshme të pagave për mjekët dhe infermierët ndërsa tha se spitali infektiv do ti nënshtrohet rehabilitimit.

Në 2 vjetorin e fillimit të pandemisë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu premtoi se rritja e pagave për mjekët dhe infermierët do të vazhdojë

"Me rritjen e pagave dhe në një kohë të vështirë sikurse ishte pandemia, në citin 2021 me 40% rritje të pagave dhe do të vijojmë që të rrisim pagat për mjekët dhe infermierët ashtu sikurse jemi zotuar", tha Manastriliu.

përgatitja e stafit mjekësor dhe pajisja e spitaleve me mjetet e punës shikohen si një mundësi për përballimin jo vetëm të pandemisë por edhe sfidave të tjera të sistemit shëndetësor.

"Strategjia kombëtare e shëndetësisë që pritet të miratohet së shpejti ka të gjitha ndërhyrjet të cilat në një plan 10-vjeçar vlerësohet të kryhen në mënyrë që ne të kemi një sistem shëndetësor më të fortë, më të qëndrueshëm nga pikëpamja e rritjes së financimit publik për shëndetësinë", tha ministrja.

Spitali infektiv i cili mbajti peshën kryesore të trajtimit të pacientëve me COVID do ti nënshtrohet rehabilitimit për tu përshtatur me nevojat e pacientëve dhe metodat e trajtimit.

"Më lejoni të veçoj projektin më të ri që do të nisë së shpejti dhe që jemi duke punuar edhe me mbështetjen e Bankës Botërore për të mundësuar në një kohë të shpejtë rehabilitimin e spitalit infektiv dhe rritjen e kapaciteteve për ta kthyer në një spital modern", tha Manastirliu.

Në 2 vjetorin e pandemisë ministria e shëndetësisë apeloi që sistemi shëndetësor të jetë në alert dhe i përditësuar me rrezikun gjithnjë evident të versioneve të reja të COVID që mund të shkaktojnë sërish situata të paparashikuara.