"Turp i botës! Lufta bëhet në Ukrainë, çmimet ngrihen në Shqipëri," ankohen qytetarët

“Kemi ngrënë tre vakte tani do të hamë 2. Do të shtrëngojmë rripin” thonë dy qytetarë të Tiranës.

Përballë çmimeve që çdo ditë po shënojnë rekorde të reja qytetarëve iu ka mbetur vetëm një zgjidhje, të kursejnë.

Buka, produkti kryesor i tryezës së shqiptarëve, ditët e fundit është rritur me 10 lekë.

Edhe vaji që përdoret për gatim është shtrenjtuar sërish. Këtë të mërkurë një litër kushtonte 300 lekë nga 270 që kushtonte një javë më parë

“Mielli ishte bërë 120 lekë, djathi kaçkavall 11 mijë lekë. Mishi ka vajtur 950 lekë. Turp i botës! Lufta bëhet në Ukrainë, çmimet ngrihen në Shqipëri. Unë haja nga dy mollë, tani nuk do të marr fare” thonë qytetarët.  

Të shqetësuar, konsumatorët thonë se po rrënohen ekonomikisht.

Për ekspertët e ekonomisë kjo situatë vjen si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë.

Për të lehtësuar barrën e qytetarëve, Anastas Angjeli rekomandon rritjen e pagës minimale.

Anastas Angjeli: Për shtresat në nevojë duhet riparë ndonjë politikë që ata të kompensojnë goditjen e madhe që marrin nga kjo rritje e çmimeve. Të kemi një përshpejtim të marrjes së vendimit për këtë me qëllim që të zbusim sa më shumë këtë krizë”

Situata e re mund të sjellë edhe abuzime ndaj Profesor Angjeli thotë se institucionet duhet të jenë të kujdeshme për të mos i lejuar.

Anastas Angjeli: Situata të tilla lënë shkas për abuzim në tregjet tona. Është e domodoshme që organet fiskale të rrisin vigjilencën e kontrollin e tyre me qëllim që të kemi një reflektim real dhe jo abuzues.

Profesor Angjeli shprehet se e gjithë bota, si pasojë e luftës në lindje, është përballë një krize të re ekonomike që do të përfshijë edhe vendin tonë.