Gjekmarkaj jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PD: Do mbetem deputet i thjeshtë

Ashtu siç  e kishte lënë të nënkuptohej në një postim në rrjetet sociale disa orë më parë, Agron Gjekmarkaj, ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion që ka pasur në Partinë Demokratike. 

Në mbledhjen që po zhvillohet me deputetët e PD, mësohet se Gjekmarkaj është shprehur se tashmë do jetë vetëm deputet i thjeshtë.

Gjekmarkaj ka mbajtur postin si nënkryetari i Partisë Demokratike dhe posti i nënkryetarit të Kuvendit. 

Ky vendim i Gjekmarkajt ka ardhur një ditë pas zgjedhjeve të 6 marsit, ku PD pësoi një humbje të thellë në 6 bashkitë.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, deputeti e e konsideroi si një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi.

Gjekmarkaj tha PD nuk mund të akuzojë askënd pos vetes, ndërsa thekson se çdo justifikim është i papranueshëm.

Gjekmarkaj: Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi.  Përtej çdo rrethane kunder nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askend pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshem! PD duhet të mbledhe sonte me urgjence organet e saj dhe të nxjerre përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale. Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj pergjegjësinë time. Nuk do t'i shmangem asaj per asnjë arsye apo interes që bie në kundershtim me vullnetin e shoqerisë dhe parimet e mia etike.

Në Durrës, Dibër, Lushnje, Vorë, Rrogozhinë dhe Shkodër kandidatët e PD-së janë renditur të tretët me një diferencë shumë të madhe votash me kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” si dhe me ata të PS-së.

Në zgjedhjet e së dielës Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama fitoi 5 Bashki: Vorën, Dibrën, Rrogozhinën, Lushnjen dhe Durrësin.