Balla-Berishës: Dëgjo, mos e ul kokën! Halli yt s’mund të jetë i këtij Kuvendi. Fatkeqësi që ish-kryeministri fyen viktimat e Ukrainës
Kuvendi është mbledhur sot në 17:00 në seancë plenare dhe pritet që të votojë projektrezolutën në mbështetje të Ukrainës.
Ndërkohë Taulant Balla në fjalën e tij i ka dhënë një përgjigje ish-Kryeministrit Sali Berisha duke thënë se ai për çështje politike po fyen viktimat e Ukrainës që është e sulmuar që prej 12 ditësh nga Rusia.
Taulant Balla: Fatkeqësi shumë e madhe që në kushtet e një plage të madhe mu në mes të Evropës të çohet dikush që ka qenë president e të fyej viktimat, familjet që janë të detyruar të lë atdheun e vet dhe të hedhë të njëjta kunja që ka hedhur tërë jetës së vet politike, për orekse të brendshme. Turpi ka një emër dhe i mbetet atij që foli. Situata përpara është më e keqja e që do të kërkonte që sot të ishim të bashkuar e jo të ndarë. Lufta po shkatërron në Ukrainë dhe po fut kthetrat edhe në Shqipëri. Rezoluta erdhi si një nevojë që Kuvendi i Shqipërisë të merrte qëndrimin e vet. Rezoluta si përket asnjë grupi parlamentar. Nuk njoh më shumë se 4 grupe parlamentare në këtë sallë.
Balla teksa i është drejtuar Sali Berishës tha se halli i tij personal, nuk është halli i Kuvendit, duke shtuar rezoluta në mbështetje të Ukrainës është në të njëjtën linjë, standard të BE, Bundestagut.
Taulant Balla: Si e tillë edhe në mënyrën si u dakordësua, me zonjën Doda, Mediu dhe Alibeaj, ka qenë diçka për t’u përshëndetur duke vlerësuar reagimin e kolegëve që përmenda. Nuk është as e dy grupeve të mëdha, por është e 4 grupeve që ekzistojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Rezoluta është në të njëjtën linjë, standard të BE, Bundestagut. Mund të kesh 1 mijë arsye për të bërë opozitë, por diskutimi i njeriut që foli që s’kishte lidhje me opozitën. Se ku hynte Soros, te sulmi i Putin në Ukrainë, hajde gjeja arsyen. Halli jot s’mund të jetë halli i këtij Kuvendi.
Balla u ka kërkuar deputetëve që të votojnë rezolutën që dënon agresionin rus.
Taulant Balla: Sa i përket rezolutës, (“Dëgjo ti mos e ul kokën”-drejtuar Berishës) duhet ta keni të qartë se ajo dënon agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë të Rusisë të tërësisë territoriale të Ukrainës. Një akt që dhunon rendin ndërkombëtar duke shkelur kartën e OKB, e një sërë dokumentesh të tjera ndërkombëtare. Sot duhet të mbështesim qeverinë shqiptare në bashkërendim me BE dhe SHBA në përpjekje të sovranitetit të plotë e të rendit global mes shteteve. Kush ka 2 pare mend, të mbështesë sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike ndaj Federatës Ruse. Ndihmë ushtarake humanitare për Ukrainën dhe kombin e saj, këtë kërkon Kuvendi. Çdo deputet duhet ta ndajë mirë se në cilën anë të historisë është. Prandaj unë do ju ftoja të gjithëve të lenim kunjat, orekset e politikës së ditës, është një dokument që na bën krenar dhe shpreh vullnetin, do të thosha që jemi një ndër kombet e vetme që jemi 100% me ata miqtë atje, me popullin e Ukrainës.
Ne kemi një minoritet shqiptar në Odessa, por lidhjet vëllazërore me popullin e Ukrainës duhet të ishin pjesë e diskutimeve korrekte.
Në përfundim të fjalës së tij, Balla i drejtohet Berishës duke i thënë: Ngrije kokën (I drejtohet Berishës), si mund të ketë pasur Shqipëria një njeri si ai që ka qenë kryeministër 2 herë dhe president 2 herë. Rroftë populli i Ukrainës!
