Shkodra “shtëpi lirie”, Bardh Spahia, demokrati i vetëm fitues në 6 Mars. Festa mbyllet me fishekzjarre
Bardh Spahia i mbështetur nga Sali Berisha ishte demokrati i vetëm fitues në zgjedhjet e 6 Marsit, duke marrë drejtimin e Shkodrës.
Me thirrje e duartokitje e shoqëruan demokratët shkodranë numërimin e kutisë që zyrtarizoi Bardh Spahinë fitues të zgjedhjeve për drejtimin e kryeqendrës së Veriut.
Garoi si kandidat i “Shtëpisë së Lirisë” së Sali Berishës, por premton se do të drejtojë për të gjithë njësoj.
Ai do të jetë kryebashkiaku i vetëm demokrat mes 60 socialistëve, por beson se nga Shkodra nisi ndryshimi.
Ndaj mesazhi shkoi për të gjithë demokratët tashmë të ndarë në dy kampe.
“Nga nesër unë do të jem kryebashkiaku i Shkodrës. Unë do të jem kryebashkiaku i të gjithë qutetarëve të Shkodrës. Një thirrje kam dhe për ata që nuk më zgjodhën mua dhe ata demokratë që për ata pak moment humëbn rrugën dera do të jetë e hapur për të gjithë demokratët e vërtetë. Nga sot në Shkodër nis ndryshimi i madh”.
Bardh Spahia mori 20125 vota, kandidatja e PS Majlinda Angoni mori 18205, ndërsa kandidati i PD Xhemal Bushati doli i fundit me 7749 vota.
Shkodra është e vetmja bashki e cila në 32 vite asnjëherë nuk është drejtuar nga socialistët dhe këta të fundit nuk patën mundësi ta merrnin drejtimin e kësaj bashkie as në zgjedhjet vendore të 6 marsit ku shpresuan se nga përçarja e opozitës do të mund të përfitonin.

