Dënim Rusisë dhe Ramës, Kuvendi dënon sulmin ndaj Ukrainës, opozita: Hiqni dorë nga Open Balkan

Parlamenti shqiptar ka miratuar rezolutën për të dënuar sulmin ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Edhe pse me një qëndrim të përbashkët sa i përket agresionit të Moskës, parlamentarët e opozitës kërkuan nga Edi Rama heqjen dorë nga Open Balkan.

Me simbolin e flamurit të Ukrainës në krah të atij shqiptar, dhe me fjongon me ngjyrat e flamurit të këtij shtetit, deputetët shqiptarë kanë miratuar rezolutën ku konfirmojnë sanksionet ndaj Rusisë dhe duke dënuar agresionin rus.

Edhe pse një seancë në simbol kundër luftës, propozimi i Taulant Ballës për të lejuar të flasin vetëm kryetarët e grupeve solli pakënaqësi mes parlamentarëve.

Balla: Ta kufizojmë diskutimin dhe të shkojmë direkt në votim.

Spaho: Me çfarë të drejte më hiqni mua nga lista e folësve.

Madje deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, është detyruar të lërë për pak minuta foltoren, duke ia dhënë fjalën Berishës.

Berisha: Kjo që ndodh është një urdhër i atij që la tishertin dhe ja mbathi.

Edhe pse të ndarë në dy mendje, mazhorancë e opozitë kishin si emërues të përbashkët dënimin e Rusisë edhe pse nuk mungojnë akuzat se me Open Balkan, Rama i shërben Rusisë e Serbisë.

Basha: Të miratojmë sa më parë projekt-rezolutën tjetër e cila ka të bëjë tashmë me impaktin, derdhjen e toksinave të konfliktit në rajon ku ndodhet i vetmi vend europian që ka refuzuar sanksionet kundër Rusisë.

Berisha: Ambiciet e Rusisë kanë qenë dy më kryesoret, Adriatiku dhe Dardanelet.

Kryeministri Edi Rama ka biseduar me presidentin Zelensky për mbështetje të Ukrainës, ndërsa mazhoranca në Kuvend theksoi dënimin e sulmit ndaj një shteti që synon integrimin në NATO e BE.

Ndërsa ambasadori Vlodimir Shukurov ka ndjekur punimet e Kuvendit, ndërsa më herët ka falenderuar vendin tonë për mbështetjen.