Rreth 3,000 amerikanë kanë dalë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë, sulmohet sërish centrali bërthamor

Sërish sulme në centralin bërthamor. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se trupat ruse “po qëllojnë nga të gjitha anët” në uzinën bërthamore të Zaporizhja, centrali më i madh në Evropë.

“Rusët duhet të ndërpresin menjëherë zjarrin, të lejojnë zjarrfikësit që të krijojnë një zonë sigurie”, ka shkruar ai në Twitter.

Rreth 3 mijë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së Ukrainës për vullnetarë të huaj për të luftuar kundër Rusisë, tha një përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës në Uashington për Zërin e Amerikës.

Vendet perëndimore nuk po dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë, por kanë dërguar armë.

Gjithashtu, kanë vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe oligarkëve dhe liderëve rusë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas kanë bërë thirrje për formimin e një “legjioni ndërkombëtar” vullnetarësh të huaj për të ndihmuar Ukrainën në luftë.

Disa ditë më parë, Zelensky tha se rreth 16,000 vullnetarë nga vende të ndryshme janë paraqitur për të marrë pjesë në luftë.