Dabulla në Prokurori, refuzon të japë shpjegime për 4 akuzat. Kërkon të largojë nga hetimi prokurorin
Pronari i “Telebingo Shqiptares”, Alban Dabulla, është paraqitur në prokurorinë e Tiranës, e cila e kishte thirrur për të dëshmuar rreth hetimeve që akuza e kryeqytetit po zhvillon ndaj tij për 4 vepra të ndryshme penale.
Dabulla ka ngjitur shkallët e akuzës së Tiranës, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprën penale të “Mospagimin e Taksave dhe Tatimeve”, “Fshehjen e të ardhurave”, “Pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “Organizimin e lotarive të palejuara dhe pa licencë”.
Kjo pasi, nga hetimet e kryera dyshohet se Alban Dabulla ka vijuar aktivitetin e lotarisë “Telebingo” për një afat 8 mujor duke mos pasur asnjë miratim licence nga organet përkatëse. “Ora News” mëson se ai ka refuzuar t'i përgjigjet pyetjeve të oficerëve që po ndjekin çështjen penale.
Por me praninë e tij në ambientet e Prokurorisë, ka shfrytëzuar një moment procedurial, duke depozituar një kërkesë për përjashtimin e prokurorit të çështjes, Leonard Filopati nga dosja në fjalë.
Në kërkesën e tij, mësohet se ka argumentuar se prokurori është i njëanshëm dhe i pavarur në zgjidhjen e çështjes në fjalë. Ndërsa mësohet se edhe pse kërkesa është bërë para disa ditësh, prokurori i çështjes nuk ka vendosur të dorëhiqet nga dosja në fjalë.
Mësohet se dosja penale që flet për rastin e abuzimit financiar me kompaninë “Telebingo”, po shkon drejt mbylljes së procedurave hetimore dhe se 23 personat që janë implikuar në skemën e mospagimit të taksave, do kalojnë si të pandehur në gjykatën e Tiranës.
Veç Alban Dabullës, i cili është djali i ish-deputetes Arta Dade, që do merret i pandehur, nën akuzë është vënë dhe administratorja në hije e kompanisë “Telebingo”, Nekilda Sulaj.
